Fabrikë çimentoje në zonë të banuar, katër fshatra në protestë
MAMURRAS - Banorët e fshatit Shpërdhet në Mamurras protestojnë ndaj projektit të një firme spanjolle për ngritjen e një fabrike çimentoje, pak metra larg zonës së banuar. Ata pohojnë se do ta përshkallëzojnë protestën deri në një përgjigje të instancave të larta, të cilëve banorët e Shpërdhetit, por edhe të tre fshatrave të tjerë u kanë nisur një peticion. Sipas kryeplakut të fshatit Shpërdhet, Vath Myrtja është e patolerueshme, që në një distancë jo më shumë se 100 metra nga banesat, të lejohet ngritja e një fabrike, që përveçse ndot ambientin merr edhe jetë njerëzish nga smogu. Sipas tij, katër fshatra me 1000 banorë rrezikohen të ndoten, nëse një fabrikë e tillë ndërtohet në territorin e Mamurrasit. “Unë kam insistuar të mbledh informacione. Në bazë të ligjit mbi pushtetin lokal, nuk lejohet çfarëdolloj investimi në territorin e bashkisë apo komunës pa marrë edhe miratimin e banorëve të zonës ku kryhet investimi. Ne deri tani nuk ka ardhur askush për të na takuar dhe biseduar për këtë problem”, u shpreh kryeplaku. Ai akuzon se ky është një investim i jashtëligjshëm, nga një firmë spanjolle. “Këshilli bashkiak në Mamurras, ka dhënë mendimin që të ndërtohet, por akoma KRRTRSH nuk ka vendosur. Ne kërkojmë që para se të merret një vendim i tillë, të kontaktojnë me ne përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, deputeti i zonës. Ne i kërkojmë kryeministrit të reagojë, në të kundërt banorët e katër fshatrave do të ngrihen në revoltë”, u shpreh kryeplaku Myrtja. r.n