“Vetëvendosja”, bashkim në Durrës
DURRES - “Vetëvendosja” zbret për herë të parë në Durrës për të hedhur piketat e bashkimit mbarëshqiptar. Hapi fillestar i kësaj nisme është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Më pas truallit-amë do t’i bashkohen me radhë Presheva, pjesa shqiptare e Maqedonisë dhe e Malit të Zi. Lideri i saj, Albin Kurti ka mbajtur një tubim përpara qindra studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, ku kërkohej bashkimi i të gjitha trevave shqipfolëse në një trup të vetëm. Në tryezën e diskutimeve dhanë ide konkrete edhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft”, të shoqatës “Çamëria”, të grupimit të ultrasve të kombëtares “Tifozat kuqezi”, si dhe akademikë të shquar. Ky aktivitet u mundësua nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare, një bashkim shoqatash i krijuar në Tiranë më 28 gusht të këtij viti, me praninë e përfaqësuesve nga Presheva, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Çamëria. “Bashkimi kombëtar nuk duhet të jetë vetëm një retorikë e politikanëve në raste festash, fatkeqësish, apo sezonesh turistike, por duhet të bëhet pjesë e përditshme e njerëzve. Për këtëo shqetësime Tirana dhe Prishtina duhet të tregohen më aktive dhe më të vendosura”, u shpreh Kurti. o.u