E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga vrasësve të elektricistit

 

Arrestohen në Holandë dy vëllezërit e kërkuar për vrasjen e të dashurit të vajzës së tyre të dajës. Policia e Shtetit pohoi dje zyrtarisht se Interpol-Tirana ka marrë njoftim nga homologët holandezë, për arrestimin e dy vëllezërve fierakë Fredi e Sokol Aliaj, të dënuar nga Krimet e Rënda, për krimin e kryer në janar të vitit 2004. Tashmë pritet kryerja e procedurave ligjore, për ekstradimin e tyre në Shqipëri, në mënyrë që të vuajnë dënimin e marrë në mungesë. Kolegji penal i Krimeve të Rënda i ka gjetur dy vëllezërit fajtorë për vrasjen e elektricistit Robert Mitro, në Durrës, për shkak të lidhjes intime midis viktimës dhe kushërirës së tyre 15-vjeçare. Bashkë me dy vëllezërit Aliaj u dënuan edhe kushërinjtë e tyre Ismet Boriçi e Platon Pepaj, nga të cilët, sipas gjykatës, i pari ishte ideatori i krimit. Gjykata ka argumentuar në vendim se katër të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë rrahur me sende të forta dhe më pas e kanë vrarë, duke e hedhur trupin e pajetë në bagazhin e makinës së tij, që ishte parkuar pranë bregut të detit. Gjykata dënoi me 25 vjet burg Ismet Boriçin, pasi pohoi se ky është personi që ka organizuar dhe më pas vrarë viktimën Robert Mitro, të cilin e kishte gjurmuar që nga Fieri. Sapo e kishin zbuluar vendndodhjen e Mitros, i cili banonte përkohësisht në një hotel në plazhin e Durrësit, ku punonte elektricist, katër kushërinjtë kanë udhëtuar nga Fieri dhe pasi e kanë torturuar e kanë vrarë. Më pas trupi i tij u gjet nga policia, që kontrolloi në bagazhin e mjetit të parkuar në plazh dhe që kishte qëndruar për dy ditë pa lëvizur. Fredi Aliaj u gjet fajtor për ekzekutimin e Mitros dhe u dënua me 23-vjet burg, i cilësuar si bashkëpunëtori kryesor i Boriçit. Ndërsa Sokol Aliaj dhe Platon Pepaj u shpallën fajtorë nga Fakti i Krimeve të Rënda për “moskallëzim krimi” dhe u dënuan me nga tre vjet heqje burg. Por disa muaj më vonë, kur çështja mbërriti në Apelin e Krimeve të Rënda, vendimi për Sokol Aliajn u prish. Gjykata e gjeti fajtor për “vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, duke e dënuar me 20 vjet burg.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›