Avokati: Bollano i pafajshëm
VLORE – Avokati i kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, kërkoi dje largimin nga trupi gjykues të gjyqtarit të çështjes, Shkëlzen Selimi. Sipas Petraq Currit, i cili ka mbrojtur në çdo seancë Bollanon, gjyqtari Selimi nuk ka pranuar të gjitha kërkesat e bëra në sallën e gjyqit, duke e cilësuar atë si të njëanshëm. Ai pohoi dje, se nga 4 kërkesa drejtuar gjyqtarit, vetëm 2 u pranuan. Gjithashtu, sipas Currit, një pjesë e ekspertimit të çështjes nuk u mor parasysh. Mes tyre ishte çështja e mënyrës së vendosjes së tabelave, distanca e tyre në rrugë, si dhe përse tabelat mbanin nënshkrimin “Bashkia e Himarës”. Sipas avokatit, këto tabela mbanin emrin e Bashkisë së Himarës, ndonëse ato nuk ishin vendosur prej saj dhe vetë kjo bashki nuk kishte dhënë leje për to. “Këto fakte të çojnë në përfundimin se Bollano është i pafajshëm”, theksoi avokati. Nga ana e tij, prokurori Sokol Malaj tha dje se nuk qëndron njëanshmëria e gjyqtarit që pretendon avokati, duke dhënë dhe shembuj nga kërkesat që ka bërë vetë akuza. Seanca e djeshme u mbyll pa konkluzion dhe pritet që të vendoset në të ardhmen nëse do të ndryshojë apo jo gjyqtari. Ndërsa si datë për dhënien e përfundimit të dëmeve nga ekspertët është caktuar data 20 dhjetor. q.b