Al Qaeda ka humbur fuqinë

Një vit pasi që ushtarët elitë amerikanë vranë Osama Bin Ladenin, Al Qaeda, e cila ndërmori sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, në thelb nuk ekziston më, por udhëheqësit e saj mbesin ende kërcënim për SHBA-në, ka deklaruar një zyrtar amerikan për anti-terrorizëm.
Udhëheqësi i ri i Al Qaedës, Ayman Al Zavahri, ende synon të sulmojë SHBA-në, por ky rrjet që po vepron në Pakistan po e ka të vështirë të mbijetojë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga ana e fluturakeve amerikane pa pilot.
Degët besnike të Al Qaedës mbetën të rrezikshme, në veçanti ajo në Jemen. Edhe pse këto grupe tani nuk janë në gjendje që të ndërmarrin sulme komplekse brenda SHBA-së, ato megjithatë janë në gjendje që të sulmojnë interesat perëndimore përtej detit.
“Secila do të kërkojë mundësi për të sulmuar interesat e perëndimit në rajonet në të cilat veprojnë”, theksoi Robert Cardillo, zëvendësdrejtor në zyrën e Drejtorisë për Inteligjencë Kombëtare.