Alarm i rremë në bankë, policia rrethon "kullat binjake"
Alarmi i dhënë i një banke në Tiranë ka ngritur në këmbë policinë, pasi është dyshuar për ndonjë vjedhje të mundshme. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, por fatmirësisht (sipas hetimeve paraprake) ka qenë nja kontakt fals që ka aktivizuar alarmin. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në orën 04:50 minuta ka telefonuar një punonjës i një banke në kryeqytet, i cili ka deklaruar se po bie sinjali i alarmit të sigurisë. Më tej, ai ka shpjeguar se bëhet fjalë për një nga degët e një banke që ndodhet te dy "kullat binjake" në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Me t‘u njoftuar policia ka dërguar një patrullë të përgjithshme për të verifikuar informacionin, e cila është përforcuar edhe nga patrulla të tjera. Sipas të dhënave të policisë, është rrethuar i gjithë territori, duke siguruar çdo dalje të mundshme, nga "frika" se mund të kishin të bënin me ndonjë grabitje spektakolare. Gjatë kontrollit është vënë re se në bankë e mbyllur nuk ndodhej asnjeri dhe as gjurmë. Megjithatë, dyshimet e policisë nuk janë shuar, derisa në këtë vend kanë shkuar edhe përfaqësues të bankës, që kanë bërë një kontroll më të imtë edhe në ambientet e brendshme, pavarësisht se ajo ruhej edhe me punonjës së policisë private. Në këto kushte, policia tha se është qetësuar gjendja pavarësisht se hetimet kanë vijuar edhe më tej në lidhje me këtë ngjarje. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, në vazhdim është punuar për të zbardhur shkaqet e rënies së sinjalit, ku mendohet se është shkaktuar nga një kontakt fals. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe dyshimet se alarmi mund të jetë dhënë nga ndonjë ndërhyrje në sistem. Por, kjo nuk vërtetohet nga policia. Sipas statistikave të policisë, janë të rralla rastet kur bankat kanë probleme me sistemet e alarmeve.