E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelozia, atentat te "Don Bosko" dy të dashuruarve

Xhelozia ka sjellë plagosjen e dy të rinjve në orët e vona të së enjtes, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Gëzim Osmanllari dhe Shkëndize Shala janë plagosur me nga një plumb teksa ngjisnin shkallët e pallatit, ku u ishte zënë pritë nga ish i dashuri i 22-vjeçares, Fatos Brahimi. Ngjarja ka qenë duke marrë përmasa edhe më të rënda, pasi askush nuk ka parë atentatin, por fatmirësisht një kryefamiljar ka dëgjuar krismat dhe britmat e vajzës së re. Ai ka telefonuar në polici, ku kjo e fundit ka dërguar të plagosurit në spital.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 23:35 ka telefonuar një qytetar se në rrugën "Don Bosko", mbrapa një televizioni privat, ka dëgjuar dy krisma dhe një vajzë, e cila bërtiste dhe kërkonte ndihmë me ngulm. Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar patrullat e përgjithshme të Komisariatit Nr. 3, të cilët kanë zbuluar se te kulla nr. 7, në katin e dytë dergjeshin në gjak dy të rinj, një vajzë dhe një djalë, ndërkohë që ky i fundit kishte humbur edhe ndjenjat. Me urgjencë, ata janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe brenda një kohe të shkurtër, mjekët kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale duke u shpëtuar jetën dy të rinjve. Më pas, policia ka identifikuar të plagosurit, të cilët janë Gëzim Osmanllari, 26 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Yrshek dhe Shkëndize Shala, 22 vjeçe, lindur në Pejë të Kosovës dhe banuese në adresën ku ndodhi ngjarja. Ata kanë deklaruar për policinë se kishin qenë duke shkuar në banesën e vajzës pejane dhe kur po ngjisnin shkallët janë përballur me ish-të dashurin e saj, Fatos Brahimi, 23 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në rrugën "Komuna e Parisit".

Autori i ngjarjes po e priste çiftin me një pistoletë në dorë dhe ka filluar të ofendojë 22-vjeçaren për motivin e ndarjes. Shoqëruesi i saj ka tentuar të qetësojë gjakrat, duke marrë shkas edhe nga arma që i ishte drejtuar, por 23-vjeçari e ka shkrepur pistoletën në drejtim të tij. Plagosja e ka hedhur të riun nëpër shkallë, ndërsa vajza e re, ka reaguar me të bërtitua dhe me të qara që kanë alarmuar banorët e pallatit. Megjithatë, kjo skenë nuk e ka prekur Brahimin, i cili ka qëlluar edhe mbi ish të dashurën. Pastaj, ai është larguar me qetësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa banorët që kanë dëgjuar krismat, kanë pasur frikë të afrohen. Por nëpërmjet telefonit, ata kanë njoftuar policinë, e cila gjysmë ore pas plagosjes, kanë mundur t‘u japin ndihmën e parë të dëmtuarve.

Menjëherë pas identifikimit të autorit, policia ka nisur kërkimet dhe brenda mesnatës kanë mundur ta prangosin. Sipas hetimeve të policisë, 23-vjeçari është kapur në tentativë për t‘u larguar. Policia deklaron se ai ka fshehur armën, ndërkohë që po punohet për gjetjen e saj. Burimet nga grupi hetimor shtuan se rreth orës 04:00 të mëngjesit, prokurori vendosi arrestimin e tij, pavarësisht se ai nuk ka pranuar të deklarojë asgjë në lidhje me akuzat e ngritura dhe ende nuk ka treguar se ku ka hedhur armën me të cilën kreu krimin e dyfishtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›