Obama rikthen fondet për abortin, reagojnë klerikët
Presidenti Barak Obama ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, duke thyer një tabu të trashëguar nga administrata Bush, mbi financimin me fonde federale të organizatave joqeveritare dhe klinikave që ofrojnë abortin si praktikë të planifikimit familjar. Me gjithë se është një vendim plotësisht i kundërt me atë të administratës Bush, Obama ka kërkuar që tema të mos politizohet. Kjo lëvizje ishte pritur prej shumë kohësh nga grupet e të drejtave të njeriut dhe është përshëndetur prej tyre. Kështu Obama ka pezulluar atë që quhej “Mexico City Policy”, ndalimin deri dje të marrjes së fondeve federale të çdo organizate që ofronte mundësinë e abortit. Nënshkrimi i këtij dekreti përkoi me 36-vjetorin e çështjes ‘Roe kundër Ëade’, që vendosi abortin në legjislacionin amerikan në vitin 1973. Këtë iniciativë Obama e kishte premtuar edhe gjatë fushatës së tij elektorale, por kjo gjë e ka vendosur në konflikt me Selinë e Shenjtë. Presidenti i Akademisë “Pontificia della Vita”, monsinjor Elio Sgreça, e ka komentuar negativisht vendimin e Presidentit të ri amerikan, Barak Obama, për të dhënë sërish fonde nga rezervat publike e federale për organizatat joqeveritare dhe klinikat që përfshijnë edhe abortin në praktikat e këshillimit të tyre për planifikimin familjar. “Mes shumë gjërave të mira që mund të bënte, presidenti i ri amerikan ka zgjedhur më të keqen, atë të mos ndalimit të viktimizimit të të pafajshmëve”, tha ai. Edhe në SHBA klerikët nuk kanë reaguar mirë ndaj këtij vendimi, por kanë drejtuar kritika kundër Obamës. Peshkopi i Orlandit, Thomas Gerard Ëenski, tha se “peshkopët dhe njerëz të tjerë në SHBA janë shumë të shqetësuar për mbështetjen që i dha Obama të drejtës për të abortuar”. Në vitin 1984, Presidenti Ronald Regan kishte ndaluar me ligj dhënien e fondeve federale për organizata të planifikimit familjar, që praktikonin abortin. Bill Clinton, gjatë mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë e hoqi këtë ligj në vitin 1993, që e riktheu më pas Xhorxh Bush në vitin 2001.
Shpëtimi i ekonomisë
Ligjvënësit demokratë po përpiqen të miratojnë javën e ardhshme planin masiv për stimulimin e ekonomisë, të cilin Barak Obama e ka cilësuar si tepër të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar krizën ekonomike amerikane. Por ndërsa mbi miratimin e tij ngrihen dyshime, për shkak të kostos së konsiderueshme, (825 miliardë dollarë), republikanët kanë propozuar një plan alternativ. Të gjithë janë dakord se një plan shpëtimi për ekonominë amerikane është i nevojshëm të miratohet sa më shpejt, por diskutimet lindin për formën dhe përmasat e këtij plani. Se deri në ç’masë do të jetë bashkëpunimi ndërpartiak i nivelit të tanishëm, do të bëhet më e qartë javën e ardhshme, kur republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të takohen veçmas me Presidentin Obama. Ligji për ekonominë ka mundësi të miratohet lehtë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku demokratët kanë 256 vende ndërsa republikanët kanë 178. Në Senat, sipas procedurave, nevojitën 60 vota për miratimin e ligjit.