E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në Ballsh, helmohen 108 persona



BALLSH/FIER

Uji dyshohet të jetë shkaku i helmimit masiv të ndodhur në Ballsh. Plot 108 persona, të moshave të ndryshme, janë paraqitur në spitalin e Mallakastrës e më pas në atë të Fierit, si pasojë e gjendjes së rënduar.
Rastet me të vjella, diarre e në disa pacientë dhe temperaturë janë shfaqur që prej së premtes në urgjencën e Ballshit, por alarmi është dhënë me shtimin e numrit të tyre pasditen e së hënës. Në këtë orë të 40 shtretërit që ka kapacitet spitali i Ballshit janë mbushur, duke detyruar mjekët të kërkojnë ndihmën e Fierit, ku në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ishin regjistruar dhjetëra pacientë. Ata i përkasin lagjeve të qytetit dhe fshatrave përreth të Ballshit, të cilët furnizohen nga i njëjti burim, ai i Poçemit. Për këtë arsye, ndonëse nuk ka një konfirmim apo të dhëna zyrtare të analizave, është urdhëruar bllokimi i ujësjellësit dhe ndërprerja e furnizimit me ujë të banorëve të Ballshit. Dhe vetë pacientët ia kanë vënë fajin ujit të pijshëm, pasi asnjë prej tyre nuk ka dyshime që helmimi të ketë ardhur nga ushqime e konsumuara apo faktorë të tjerë. Drejt Ballshit janë nisur dje ekipe specialistësh nga Tirana si dhe grupe hetimore të policisë së Fierit për të zbardhur shkaqet e helmimit. Në spitalin e Fierit mbrëmë 15 vetë ishin në gjendje më të rënduar, duke kërkuar terapi intensive për të mos rrezikuar më tej situatën. Të dy katet e tij u vunë në gatishmëri, duke shtruar pacientët që vinin me barela në pavijonë të ndryshëm. Në Fier nuk janë paraqitur pacientë të mitur, ndërsa mosha e të shtruarve ishte ajo nga 17 deri në 58 vjeç, ndërsa në Ballsh mësohet se ka pasur të shtruar edhe të mitur të moshës 7-vjeçare. Në vetëm pak raste një familje ka pasur disa pacientë me shenja helmimi. Në dyert e spitalit të Ballshit mbrëmë situata ishte alarmante, pasi një numër i madh familjarësh interesoheshin për njerëzit e tyre të sëmurë. Një pjesë e tyre, pas ndihmës së shpejtë dhe terapisë linin spitalin, për t'u zëvendusuar me të tjerë. Grupe të policisë së Ballshit e Fierit si dhe shumë autoambulanca kanë qenë të pranishme, duke bërë të mundur transportimin e personave që ishin në gjendje më të rënduar. Rreth 8 autoambulanca kanë bërë transportimin e pacientëve drejt Fierit, ndërsa të tjerë kanë shfrytëzuar makinat private për të afërmit e tyre. Në ndihmë të kësaj situate kanë shkuar dhe mjetet zjarrfikëse. Gjatë orëve të mbrëmjes, i gjithë stafi mjekësor ka dalë në shërbim, për të përballur këtë situatë emergjente. Drejtoreshat e të dy spitaleve, Luljeta Bregasi në Ballsh dhe ajo e Fierit, Donika Alushani, ndonëse flasin për një përballim të situatës aktuale, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë. Asnjëra prej tyre nuk ka një përgjigje mbi shkakun, pavarësisht simptomave të pacientëve, por thonë se duhet të dalin analizat që të vërtetohet nëse është uji apo jo. Në orët e mbrëmjes, në spitalin e Ballshit rezultonin të shtruar 12 vetë.

Shkëlqim Veliaj: Dy ditë i sëmurë, në Ballsh nuk kishte më vende

Pacientët e shtruar mbrëmë në spitalin e Fierit janë jo vetëm nga qyteti i Ballshit, por dhe nga fshatrat Hekal, Aranitas, etj. Njëri prej tyre tregon se sapo ka pirë një gotë ujë kur i ka rënë të fikët, ndërsa një tjetër ka tre ditë me shenja helmimi, për të përfunduar me serume në Fier. Shkëlqim Veliaj, banor i qytetit të Ballshit, thotë se prej dy ditësh është në këtë gjendje. Ai shprehet se paniku i ka kapur më shumë kur kanë parë numrin e madh të pacientëve me të njëjtat shenja në spitalet e Ballshit e në atë të Fierit. Ndërsa kërkon që të zbardhen shkaqet e këtij helmimi që ai vetë thotë se mund t'i ketë ardhur nga uji.
Cilat ishin shenjat e para të helmimit?
U ndjeva keq, kisha dhimbje të forta barku, djersitje, diarre dhe të vjella.
Nga se mendoni se ka ardhur kjo gjendje?
Nuk e di se nga erdhi, por them se nga uji pasi unë ha gjithmonë ushqim të kontrolluar në familje. Kemi shumë mundësi të mendojmë se na erdhi nga uji. Jemi keq. Tani po na vijnë në ndihmë këtu të shohim, mbase përmirësohemi shpejt. Në Ballsh nuk kishte vende për ne.
Kur jeni ndier keq?
Kam që dje. U paraqita dhe mora mjekimet e para në Ballsh, por atje vinin dhe iknin pacientë të shumtë dhe unë isha rëndë. Për shkak të gjendjes më nisën këtu në Fier.
Ka të tjerë të smëurë nga familja juaj apo të njohur?
Nga familja jemi dy, unë dhe kunata ime, por të afërm të tjerë. Por mora vesh se ishin shumë nga qyteti i Ballshit.
Pati panik kur u shtruan aq shumë njerëz?
Panik thua? Na u duk se pamë vdekjen me sy dhe kur janë shumë ndihet era e frikës edhe më tepër. Nuk di ç'të them. Organet kompetente duhet të marrin masat që duhen në bazë të ligjit. Kjo nuk falet, si të jetë pa dashje ashtu edhe me dashje që nuk mendoj se mund të ndodhte.

Vasili në Ballsh për situatën
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, me një grup specialistësh, ka udhëtuar mbrëmë për në spitalin e Ballshit për të parë nga afër gjendjen e krijuar pas helmimit masiv. Burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë pohuan se numri i pacientëve, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, ka ardhur duke u ulur, derisa në orët e vona në spitalin e Ballshit mbetën vetëm 12 persona. Ministri Vasili garantoi se nuk kishte pacientë që rrezikonin jetën. Ai mësohet se ka urdhëruar ndërprerjen e ujit të pijshëm në qytetin e Ballshit, deri në zbardhjen e shkaqeve. Kampionë të ujit janë dërguar për analizë në laboratoret përkatëse, për të nxjerrë përfundimet zyrtare mbi këtë ngjarje që tronditi Ballshin.

Ujësjellësi: analizat dolën OK
Drejtori i Ujësjellësit në Ballsh, Shyqo Meta, reagoi mbrëmë duke thënë se nuk e pranon që pacientët të jenë sëmurë nga uji i pijshëm. "Ne kemi tre ditë që kemi bërë analizat dhe uji ka rezultuar i klorifikuar në masën e duhur dhe pa mbetje bakteriale. Nuk di nga se u ka ardhur, por unë personalisht flas me bindje që uji në Poçem është i pastër. Megjithatë ne kemi kërkuar që të ribëhen analiza dhe jemi në pritje", u shpreh ai. Burimi natyror i Poçemit, nëpërmjet pompave furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të qytetit të Ballshit si dhe fshatrat Hekal, Aranitas, Ballsh, Lapulec, Drenovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›