E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, bllokohen kërkimet për 60 viktimat e Panahorit



PATOS/ MAJLINDA RAMA

Ngecin gërmimet për gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave të të burgosurve politikë, të varrosur në fshatin Panahor të Mallakastrës. Pas trupit të parë të zhvarrosur zyrtarisht nga varreza e Panahorit disa ditë më parë, ekspertët nuk janë parë më në territorin e gërmimit. Burime nga ekipi i Task-Forcës që mori pjesë në këtë zhvarrim dhe efektivët e policisë së Mallakastrës, janë shprehur se zhvarrimet mund të vijojnë në rrugë private nga të afërmit e dënuarve, të cilët do t'u referohen padyshim elementëve dhe të dhënave në bazë të hartës që ka kjo Task-Forcë për këtë varrezë. Megjithëse ende nuk jepet një përkufizim zyrtar se kur mund të rinisin kërkimet në këtë varrezë, pas gjetjes së trupit të parë në Panahor, ka pasur shumë kërkesa nga familjarë, të cilët ende nuk i kanë trupat e të afërmve të tyre prej shumë vitesh. Mësohet se pas nxjerrjes së eshtrave të 58-vjeçarit, Mustafa Koroca, nga Kuçi i rrethit të Vlorës, grupi i punës do të kontaktojë me të gjithë familjarët e viktimave të burgut 309 të Ballshit. Fillimisht do të procedohet duke u kontaktuar me familjarët e atyre që këto vite kanë kërkuar zhvarrimet e të afërmve të tyre në mënyrë individuale, por që nuk kanë gjetur gjë. Pikërisht lista emërore që disponohet nga ky ekip pritet të kontaktohet nga familjarët e atyre që mendohet të jenë groposur pikërisht në parcelën e Panahorit. Gjithsesi, ekspertët që morën pjesë në ditën e parë të zhvarrimeve thanë se nëse punimet do të kryhen në rrugë private mund të krijohen probleme. Fakti që të varrosurit mund të kenë pasur sëmundje të ndryshme apo edhe fakti që familjarët nuk mund t'i nxjerrin eshtrat siç veprojnë specialistët, përbëjnë vështirësinë e punës. Megjithëse nuk jepet asnjë deklaratë zyrtare, mësohet se këto zhvarrime kanë një kosto tepër të lartë dhe që kërkojnë financime, çka ka bërë që shteti t'ia delegojë këtë sipërmarrje vetë atyre që janë të interesuar. Aktualisht në këtë zonë janë lënë vetëm disa efektivë policie, të cilët mbikëqyrin nga larg vendin për të mos pasur dëmtime apo ndërhyrje nga persona të paautorizuar. Nga burime zyrtare të policisë mësohet se këto patrulla policore do të vijojnë të jenë aty për të mos lejuar ndërhyrje, me qëllim që mos të ketë dëmtime dhe prishje të territorit deri në rifillimin e gërmimeve, gjë që zyrtarisht nuk dihet se kur mund të ndodhë. Më 29 prill në fshatin Panahor u nxor edhe trupi i parë i varrosur në këtë zonë. Në këtë vend kanë shkuar edhe dy iniciatorët e këtij zbulimi, deputeti i PD-së, Enkeled Alibeaj dhe kreu i të përndjekurve politikë, Simon Miraka. Pas afro 2 orësh studimi të hartës që ata dispononin, u bë e mundur gjetja dhe zhvarrosja e trupit të parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›