Alarm në Maliq, 30 të helmuar në spital, dyshime për ndotjen e ujit
Spitali i Korçës mbipopullohet nga banorët e Maliqit, pasi 30 të helmuar brenda disa orëve kanë marrë dje mjekimet e rastit. Panik dhe frikë në qytezën e Maliqit brenda 24 orëve të fundit, ku rreth 30 banorë të tij kanë përfunduar me simptoma të njëjta në spitalin rajonal të Korçës. Një situatë e pazakontë ka përfshirë gjatë orëve të fundit ish-qytetin e kombinatit të Sheqerit. 5 mijë banorët e tij janë përfshirë nga alarmi, ndërkohë që 30 të tjerë janë shtruar për mjekime të specializuara në spitalin juglindor, me simptomat e helmimit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërkohë që mjekët e Spitalit të Korçës japin alarmim për një helmim të mundshëm, nga ndotja e lartë bakteriale e ujit të pijshëm. Burime të mirëinformuara pranë spitalit të Korçës bëjnë të ditura për gazetën “Mapo” se plot 30 persona në Maliq, kanë përfunduar në spital, pasi kanë pasur të vjella dhe shqetësime të tjera. Nga kontrollet e ushtruara mbi pacientët, mjekët e spitalit lokal kanë zbuluar se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e një helmimi. Ata kanë dhënë alarmin dhe dyshojnë që helmimi të ketë ardhur nga ndotja e ujit të pijshëm. Nëse pas analizave të ujit, rezulton se ai ka qenë burimi i helmimeve, atëherë pritet përkeqësimi i gjendjes dhe shtimi i rasteve të të prekurve. Mjekët e spitalit juglindor kanë kërkuar në mënyrë urgjente kryerjen e analizave të kampionëve të ujit të pijshëm që rrjedh në çezmat e banorëve të Maliqit nga ku mendohet të jetë dhe shkaku i helmimeve masive. Në rast se kjo verifikohet të jetë e vërtetë, për shkak të dyshimeve të deritanishme të mjekëve, situata mund të paraqitet më e rëndë. Raste e shtrimit të pacientëve me bark të vjella dhe temperaturë të lartë, kanë filluar nga orët e para të mëngjesit të së enjtes në urgjencën e Spitalit të Korçës. Deri në orën 17:00 të kësaj dite, numri i tyre ka arritur në 30 pacientë. Kjo ka nxitur alarmin, ndërsa është informuar në mënyrë urgjente dhe Drejtoria e Shëndetit Publik, për të nisur kontrollet. Ndërkaq nuk përjashtohet mundësia e helmimit nga ndonjë ushqim, që mund të kenë konsumuar pacientët e shtruar në spital. Gjithsesi këta të fundit janë pyetur se çfarë kanë konsumuar gjatë ditës, si dhe për të dhëna të tjera që do t’i çojnë mjekët drejt identifikimit të shkakut të helmimit të tyre. Paraprakisht ata mendojnë se gjithçka vjen nga uji i pijshëm. Gjithsesi po punohet në terren për të verifikuar problemin, ndërsa priten dhe përgjigjet e analizave. Ndërkaq, mjekët e spitalit të Korçës kanë situatën nën kontroll dhe kanë marrë masa për të evituar ndonjë të papritur, që mund të vijë nga ndonjë rritje e numrit të pacientëve të helmuar nga qyteza e Maliqit vetëm 15 kilometra larg Korçës.