Digjet Teatri “Skampa”, Sejdini akuza zjarrfikësve
Flakët e zjarrit shkrumbojnë godinën e Teatrit “Skampa” të Elbasanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 dhe flakët u pikasën fillimisht në çatinë e godinës, por për 30 minuta gjithçka në ambientet e brendshme është shkrumbuar, edhe pse aty arriti i gjithë reparti zjarrfikës i Elbasanit. Zjarrfikësit janë përpjekur të lokalizojnë shpërthimin e zjarrit në banesat dhe në një hotel aty pranë, por ka qenë e pamundur që të shpëtojnë ambientet e brendshme, të cilat për shkak të natyrës së ndërtimit, janë djegur në pak minuta. Dëme në njerëz nuk ka pasur, por dëmi material ka qenë i konsiderueshëm dhe sipas të dhënave paraprake përllogaritet në 1.5 milionë euro. Zjarri ka djegur plotësisht sallën e spektatorëve, skenën, impiantin e ndriçimit, impiantin e fonisë, infrastrukturën mbështetëse dhe ka dëmtuar edhe zyra dhe ambiente të tjera. Gjatë viteve të fundit, teatri kishte njohur investime të konsiderueshme në sistemin e aspirimit, infrastrukturë, në sallën e spektatorëve etj. Në vendngjarje kanë shkuar forca policie, ekspertët dhe një grup hetimor i Prokurorisë së Elbasanit. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e zjarrit, por sipas të dhënave të para fillimisht ai është identifikuar në çatinë e teatrit dhe nuk përjashtohet mundësia e ndonjë kontakti elektrik, që të ketë inicuar këtë zjarr. Megjithatë hetimet e mëtejshme do të përcaktojnë shkakun e vërtetë dhe ndoshta edhe fajtorët.
Sejdini
Në vendngjarje ka qenë kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, i cili u shpreh se është djegur e gjithë godina dhe që vlera e investimeve dhe pajisjeve është rreth 1.5 milion euro. Ai ka akuzuar repartin e zjarrfikëseve për mefshtësi. Sipas tij, nuk mungojnë hidrantet, por kishte mungesë uji dhe se ishin të rinjtë e Elbasanit që u përpoqën të fiknin zjarrin. Ai e ka cilësuar krim këtë ngjarje. Sejdini theksoi se godina është siguruar tek kompania e sigurimeve “SIGAL”. “Fatmirësisht godina është siguruar te kompania e sigurimeve “SIGAL”, sapo fola me presidentin e kompanisë, Avni Ponari, i cili më garantoi që nesër do të jenë ekspertët e tij dhe së bashkë me koeficentin e sigurimit dhe vetë bashkia do ta rindërtojë atë”. Sejdini shprehu kënaqësinë e rifillimit të ndërtimit të godinës.
Prefekti i Elbasanit theksoi se ky ishte një aksident. “Ka disa hipoteza, por në momentin që ka rënë zjarri, një pjesë e repartit të zjarrfikësve ishte në një zjarr tjetër. Janë njoftuar edhe zjarrfikëset e qyteteve të tjera, për t’u ardhur në ndihmë kolegëve elbasanas. Ky është dëm i madh për qytetin e Elbasanit, por do të jenë organet kompetente që do të thonë fjalën e fundit”.
Djegia e teatrit Skampa, përveç humbjeve të mëdha materiale e financiare, shkaktoi humbje historike e kulturore, pasi janë djegur edhe disa pjesë të arkivës dhe aktivitetit të tij në vite. Kujtojmë këtu emra të mëdha të Teatrit “Skampa”, si Demir Hyskja, Shpëtim Shmili, Astrit Cerma, etj.