BE kundër Thaçit: nuk duhet të ndërhynit
Bruksel - Bashkimi Europian ka reaguar ndaj aksionit të Policisë së Kosovës. Ajo që ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë në Mitrovicë për shefen e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Caterine Ashton, nuk është diçka e mirë. Zëdhënësja e saj Maja Kocijançiç, në një intervistë për radion Europa e Lirë ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit. "Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë Kocijançiç. Ajo ka ripërsëritur se çështja e vulave dhe tregtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve. Zëdhënësja e Ashton ritheksoi se Bashkimi Europian është i mendimit se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm. Të një mendimi të kundërt janë amerikanët. Zëvendës ndihmësi amerikan i shtetit, Tomas Countryman, është shprehur në favor të embargos kosovare, por nuk ka ende një prononcim zyrtar lidhur me ngjarjet më të fundit në veri.