E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në Metalurgjik, gjenden predha luftarake

Alarm për rrezik shpërthimi në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik. Një telefonatë në sallën operative të policisë ka vënë në lëvizje thuajse të tërë strukturat e policisë, të shqetësuar për të mos u përsëritur një ngjarje e ngjashme me atë të Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, është kërkuar ndihma e ekspertëve ushtarakë për demontimin e një sasie të madhe municionesh brenda ambienteve të fabrikës së kompanisë turke "Kurum". I njëjti burim saktëson se në ambientet pranë drejtorisë qendrore të kompanisë turke, afër stacioneve të pompimit, është konstatuar një grumbull dheu ku ndodheshin sasi të mëdha municionesh luftarake. Grupi i ekspertëve të policisë ka mundur të numërojë 27 predha të kalibrit të madh dhe nuk ka gërmuar brenda masës së dheut për të evidentuar municione të tjera luftarake. Mësohet se specialistë të eksploziveve pranë policisë së Elbasanit nuk kanë ndërhyrë për çaktivizimin e tyre, por kanë izoluar vendin duke mos lejuar që të afrohen njerëz dhe kafshë në kavaletën me municione. Menjëherë është kërkuar ndihma e specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes që të bëjnë të mundur çaktivizimin e tyre. Grupi hetimor po punon për gjetjen e burimit të këtij furnizimi me municione të fshehura, që mendohet se mund të jenë groposur që nga ngjarjet e viti 1997.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›