E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballsh, tre të arrestuar për naftën

Policia e Fierit ka arrestuar dje tre persona, mes të cilëve është shefi i një reparti në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) në Ballsh, si dhe një punëtore e këtij kombinati. I arrestuari tjetër është drejtues autoboti, i cili merrte naftë duke u favorizuar prej dy të parëve pa faturë përkatëse. Akuza e ngritur ndaj dy punonjësve të kombinatit është ajo e "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën". Sipas informacionit që jep zyra e marrëdhënieve me publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, bëhet e ditur se në orët e vona të mbrëmjes së të martës është zbatuar aksioni policor "Gërshërët 7" dhe agjentët e seksionit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar kanë arrestuar në kushtet e flagrancës 41-vjeçarin Spartak Shehaj, lindur e banues në qytetin e Fierit, i cili mbante postin e shefit të repartit 16/4 në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, si dhe Hadije Asimetaj, lindur e banuese në fshatit Panahor të rrethit Mallakastër, e cila ishte punëtore ngarkimi në këtë repart. Së bashku me këta punonjës të uzinës, policia ka prangosur edhe 22-vjeçarin Klodian Saliaj, i cili drejtonte autobotin ku dhe u gjet sasia e naftës së vjedhur. Sipas burimeve zyrtare të policisë, zyra e krimit ekonomiko-financiar kishte disa javë që kishte siguruar të dhënat e sakta të vjedhjes së naftës në KPTHN Ballsh dhe i mbante personat nën survejim. Në orët e natës, duke gdhirë dita e djeshme, ndërsa autoboti ka qenë duke dalë me ngarkesën e marrë në një nga repartet e KPTHN-së agjentët e SAEFIT kanë ushtruar kontroll të befasishëm të dokumentacionit shoqërues, si dhe të ngarkesës reale që kishte autoboti. Mjeti i tipit "Ford" me targa FR3850B që drejtohej nga Klodina Saliaj ishte i një tonazhi 12 tonësh. Pas kontrollit të policisë është verifikuar se autoboti kishte një sasi të madhe gazoili të pastër pa dokumentacion. Sipas agjentëve të SAEFIT, konfirmohet se sasia që rezultoi e pafaturuar ishte 1850 litra gazoil cilësor. Si fillim, policia ka shoqëruar për në mjediset e Komisariatit të Ballshit drejtuesin e autobotit, 22-vjeçarin Klodian Saliaj, si dhe mjetin e tij. Pas marrjes në pyetje të Saliajt dhe pas këqyrjes së dokumentacionit përkatës të gazoilit që ai kishte blerë, policia ka marrë urdhrin për të arrestuar shefin e repartit 16/4, repart nga i cili ishte marrë sasia e naftës, si dhe punonjësen e ngarkesës Hadije Asimetaj. Këta dy të fundit konfirmohet se mbajnë postet e punës në KPTHN prej dy vjetësh. Sasia e gazoilit të ngarkuar në autobotin e ndaluar nga policia, në bazë të faturës tatimore kishte si destinacion pikën e shitjes së karburanteve në Fier dhe në faturë ishte përshkruar shumë më pak gazoil se ç‘kishte me të vërtetë depozita e autobotit. Menjëherë pas këtij precedenti, në radhët e naftëtarëve të uzinës së naftës, kreu i saj, Tonin Hysi, ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme ku mësohet se është shprehur tepër i prerë për të mostoleruar asnjë vartës të tij që abuzon me detyrën apo jep shenjat e një veprimi të tillë. Shumë herë punonjës të sektorit të naftës në zonën e Fierit kanë kryer vjedhjeve duke shpërdoruar detyrën. Disa javë më parë u arrestua për vjedhje një polic që ruante kombinatin e Ballshit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›