Parullat nacionaliste shtojnë policët nëpër shkolla
Shkrimi në mënyrë të përsëritur i parullave nacionaliste në fasadat e shkollës së mesme të përgjithshme "Hasan Tahsini" të qytetit të Sarandës është bërë shkas që objektet dhe territoret e institucioneve arsimore në qytet e më gjerë të mbahen më mirë në ruajtje e në kontroll. Organet e specializuara janë duke bërë punën e tyre për zbardhjen e autorëve që i kanë shkruar parullat me përmbajtje provokative dhe që kanë synuar prishjen e klimës së mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ndërkohë, detyra kanë nxjerrë si drejtoria e shkollës edhe zyra arsimore, për të mos lejuar që synimet e shkarravitësve të reflektojnë në marrëdhëniet mes nxënësve me përkatësi të ndryshme etnike. Duke marrë shkas nga ngjarjet e ditëve të fundit, edhe shërbimi policor prej ditës së djeshme ka vendosur të shtojë praninë e vet në shkolla. Shefi i Komisariati të Sarandës, Viktor Agaj, tha për "Shqip" se jo prania e uniformave blu në këto institucione e territore, por kontaktet e reja të vendosura me drejtuesit e të gjitha shkollave të mesme dhe atyre 9-vjeçare të qytetit të Sarandës janë e reja në punën e tyre. Prej disa muajsh më parë, uniformat blu të Sarandës ishin të pranishme në afërsi të shkollave të mesme në intervalin 7:30 deri 8:30 në mëngjes, duke bërë përcjelljen e nisjes normale të mësimit. "Rasti i parullave nacionaliste na tregoi se edhe kjo nuk ka qenë e mjaftueshme", thotë shefi i Komisariatit të Sarandës. Nisur nga ky përfundim i arritur, çdo 2 orë ushtrohet kontroll dhe mbahen nën mbikëqyrje shkollat gjatë kohës normale të zhvillimit të mësimit. Mbikëqyrja realizohet nga grupi i gatshëm në bashkëpunim me 3 inspektorët e rendit nëpër lagje. Kontrolli dhe informimi për situatën në shkolla nuk mbaron me mbarimin e mësimit, por shtrihet në 24 orë. Kjo bëhet e mundur duke komunikuar periodikisht pasditeve me drejtuesit e shkollave për personat që qarkullojnë në këto orë dhe duke kontaktuar me rojet për kohën e natës.