E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktiset pranë shtëpisë së foshnjës një i sapolindur

Një bebe e sapolindur është braktisur mbrëmjen e djeshme pranë shtëpisë së foshnjës në qytetin e Vlorës. Bebja ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore në momentin që është gjetur nga personeli i shtëpisë së fëmijës. Punonjëset sociale e kanë gjetur fëmijën përballë portës kryesore të institucionit dhe e kanë sistemuar atë në një nga dhomat ku edhe e kanë trajtuar. Fëmija është i seksit mashkull dhe mund të jetë rreth 10 ditësh. Ai ka si shenja dalluese numrin e tij të maternitetit, gjithashtu edhe atë të nënës së tij. Këto shenja mund të ndihmojnë punonjësit e shtëpisë së fëmijës të përcaktojnë identitetin e fëmijës dhe nënës pa shumë probleme apo zvarritje. Sipas përgjegjëses së shërbimit social në këtë institucion, Teuta Hyseni, foshnja aktualisht gëzon shëndet të mirë, edhe pse duhet të kalojë në vizita mjekësore, të cilat do të përcaktonin kushtet e tij shëndetësore. Në momentin e gjetjes së foshnjës, ajo ishte mbështjellë me një batanije dhe gjendja ishte traumatike. Sipas Hysenit, ky është rasti i dytë për këtë vit i braktisjes së foshnjave në këtë formë. Por nuk mungojnë edhe rastet e braktisjes së fëmijëve të sapolindur në maternitet. Në total për vitin 2008 numërohen 4 foshnja të braktisura, çka konsiderohet një numër i madh nga drejtuesit e shtëpisë së foshnjës në Vlorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›