Alarm në OBSH, shpërthen virusi i gripit të derrave
Dhjetëra njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë infektuar me një virus që ka shpërthyer në Meksikë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga gripi i derrave. Organizata Botërore e Shëndetit mendon se virusi mund të jetë shkaktari i 60 vdekjeve në Meksikë, që nga mesi i marsit. Autoritetet meksikane kanë mbyllur shkollat në zonat e prekura dhe kanë nisur një fushatë të vaksinimit. Shtatë raste të tjera jo-fatale janë konfirmuar nga një formë e re e gripit të derrave në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Një zëdhënës i OBSH-së tha se 12 nga 18 mostrat e marra nga viktimat meksikane treguan se ata kanë vdekur nga një virus me të njëjtën strukturë gjenetike, si ai i gjetur në SHBA. OBSH do të mbledhë një takim urgjent në një të ardhme të afërt për të përcaktuar nëse kjo përbën “ngjarje në shëndetin publik, si rast për shqetësimin ndërkombëtar”, citon Reuters. Shtëpia e Bardhë tha se po ndjek nga afër rastet e shpërthimit të sëmundjes në Kaliforni dhe Teksas. Sipas një zëdhënëseje të OBSH-së, Fadela Chaib “në Meksikë u dalluan simptoma të pazakonta të aktivitetit të gripit në fund të marsit”. 60 persona kanë vdekur me simptoma të ngjashme me gripin dhe mbi 800 të tjerë dyshohet të jenë prekur nga i njëjti virus. Ministri meksikan i shëndetësisë, Jose Angel Cordova, tha se virus ka pësuar mutacion nga derrat dhe në disa rrethana transmetohet te njerëzit. Në SHBA ekspertët thanë se shtatë të prekurit nga virusi janë izoluar. Virusi në fjalë është një kombinim i viruseve të gripit të shpendëve, derrave dhe njerëzve. Asnjë prej tyre nuk ka pasur kontakt me derrat dhe nuk dihet ende si është përhapur ky virus.