“Deklaratat e Jeremiçit për Kosovën, si të Adolf Hitlerit”
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, madje edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendos ndryshe. Ekspertët në Beograd e quajnë imoral këtë qëndrim dhe e krahasojnë me qëndrimin e Adolf Hitlerit. Procesi para Gjykatës Ndërkombëtare nisi me deponimin e raporteve të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara mbi këtë çështje. Kur ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, u pyet se a do ta njohë Serbia Kosovën, nëse Gjykata vendos se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ai tha: “Jo, kurrë dhe në asnjë rast”. Në tetor 2008, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shefi i diplomacisë serbe e arsyetoi në këtë mënyrë iniciativën e Serbisë: “Përgjigjja që duhet të merret në formë të mendimit këshillëdhënës, do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Kam besim se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dijë çfarë të bëjë dhe do t’i marrë parasysh mendimet e të gjitha vendeve të interesuara dhe të organizatave ndërkombëtare”, tha Jeremiç. Ata që ishin kundër nismës, pohuan se kjo nuk do ta zgjidhë kontestin, sepse Serbia vetëm dëshiron ta ndalë procesin e njohjeve të Kosovës. Dhe, me të vërtetë, Serbia reagoi në mënyrë drastike kur pas vendimit të OKB-së, vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, njohën Kosovën. Analisti serb, dr. Vatroslav Vekariç, një anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe i Këshillit të Politikës së Jashtme pranë Ministrisë së Jashtme në Beograd tha se “Nëse ai që e ka ngritur çështjen dhe ka kërkuar mendim, do ta pranojë mendimin vetëm po t’i pëlqejë, kjo nuk lë përshtypjen e një sjelljeje të besueshme. Mendoj se ky është obligim i propozuesit, në rastin konkret i vendit tonë, që mendimin e Gjykatës ta pranojë të atillë siç do të jetë”. Avokati Sërgja Popoviç vlerëson se deklarata e Jeremiçit është shumë më tepër sesa një deklaratë problematike. “E para, ky është një qëndrim krejtësisht i pamoralshëm. E dyta, ai tregon se jeni të gatshëm ta keqpërdorni edhe institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe se për ju është e drejtë vetëm ajo që është e mirë për ju. Kjo është një porosi tipike nacionaliste, të cilën i pari e ka formuluar Adolf Hitleri, në deklaratën e njohur të tij se drejtësia është ajo që është e mirë për popullin gjerman”, deklaron Popoviç. Megjithatë, analistët në Beograd janë të mendimit se vendimi i Gjykatës nuk do të jetë i prerë, në kuptimin që Kosova ka të drejtë apo Serbia ka të drejtë. Ata mendojnë se vendimi do të jetë i përzier dhe do të marrë parasysh edhe mendimin e palës tjetër. (RFE)
Sejdiu: Proceset në Serbi janë farsë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar dje se “proceset për krime të luftës në Serbi janë një farsë”. Reagimi i tij erdhi pas vendimit për të përfshirët në krimet e Suharekës. Procesi, i cili nisi që në vitin 2006 në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd, kundrejt të akuzuarve për ekzekutimin e 48 shqiptarëve të Suharekës, mes të cilëve foshnje, gra, pleq dhe fëmijë, përfundoi një ditë më parë, duke liruar të përfshirët kryesorë në krim dhe duke dënuar me 68 vjet vetëm katër policë që ishin të pranishëm në ngjarje. Sipas presidentit Sejdiu, këto procese “paraqesin një përpjekje nga Serbia për t’i demonstruar botës se ata po ndërmarrin diçka ndaj kryerësve të shkallës së tretë, por pa vendim të qartë për fajtorët kryesorë”. Masakra në Suharekë ndodhi më mars të vitit 1999.