“Shqiptarët marrin ilaçe që ne BE u jepen kafshëve”
ZIRINA LLAMBRO
Ilaçe që në vendet e BE përdoren vetëm për kafshët, tek ne u jepen akoma njerëzve. E pranojnë vetë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë. Dje gjatë konferencës së parë farmaceutike në vendin tonë, ky ishte problemi më i mbrehtë që u ngrit. Sipas ekspertëve, edhe pse hyjnë 4 herë më pak tipe ilaçesh se në shtetet e Bashkimit Evropian, Shqipëria renditet ndër të parat vende për konsumin e tyre. Çka do të thotë se përballë një tregu farmaceutik të varfër, shqiptarët dynden me barna edhe kur nuk kanë nevojë. “Duhet punuar me shume me futjen e medikamenteve të reja. P.sh klorofenikoli në vendet e BE nuk përdoret më te njerëzit, por te kafshët. Të tilla ka edhe një sërë barnash të tjera që janë nxjerrë jashtë përdorimit”, u shpreh Elvis Kena, këshilltar për farmaceutikën, në Ministrinë e Shëndetësisë. Ai shtoi se në total janë regjistruar rreth 1900 lloje barnash, numër ky shumë i ulët po t’i referohesh shteteve të tjera. Situata është krijuar si pasojë e mungesës së konkurrencës dhe një marketingu të mirë, për të blerë alternativa të ndryshme me çmimet të ulëta. Një tjetër problem në tregun farmaceutik, i diskutuar dje në rang specialistësh, është shpërndarja e medikamenteve te pacientët pa recetë. Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave në vendin tonë, Besnik Jakaj, theksoi se me futjen e pullës së dyfishtë, do të mund të shmangen abuzimet. “Me anë të kësaj pulle pritet të vihen nën kontroll të gjitha medikamentet jashtë rregullave jepen nga farmacisti pa recetë. Shumë shpejt emetimi i kësaj pulle sigurie do të jetë gati”, tha Jakaj. Ai shtoi se në këtë kuadër duhen bërë edhe disa ndryshime në kuadrin ligjor. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e pranishme në konferencë, kërkoi unifikim të tregut farmaceutik dhe përafrim me atë evropian. “Në këtë mënyrë ne do të arrijmë ato standarde që do të garantojnë siguri për të gjithë pacientët, të cilët kurohen me ilaçe”, tha Godo. Sipas saj, prej disa muajsh, dikasteri që drejton ka ndërhyrë për reformimin e sektorit farmaceutik, me amendimet në ligjin farmaceutik, me qëllim sigurimin e lehtësirave të biznesit, përshpejtimin e procedurave të regjistrimit, deri në regjistrim automatik. Godo theksoi se këto amendime në ligj u ndërmorën për të pasur një treg të shumëllojshëm dhe medikamente të sigurta. “Amendimet në ligjin farmaceutik janë një stop për dëshirat abuzive dhe korrupsionin në këtë sektor”, theksoi ajo. Në konferencën e mbajtur për herë të parë në vendin tonë, u diskutuan gjithashtu edhe arritjet në fushën e farmaceutikës dhe sfidat për të ardhmen. “Jetojmë në epokën e globalizmit, jemi një shoqëri që po tentojmë të hyjmë në Evropë në kuptimin e plotë dhe të integrohemi në të gjitha drejtimet dhe në këtë kuptim menaxhimi i integruar në rang evropian dhe i strukturave farmaceutike, ashtu si dhe i të tjerave, është një domosdoshmëri që siguron zhvillim në këtë fushë”, u shpreh ministrja Godo.
Shifrat
- 1900 lloje ilaçesh në Shqipëri
- Në BE 4 herë më shumë lloje
- Konsumi 2 herë më shumë se në BE
- Në vit 42 milion paketime barnash
- Për 2008 73% më shumë pulla sigurie