Liri Berisha takohet me jetimët dhe pensionistët e Korçës
KORÇE - Presidentja e Fondacionit “Fëmijët e Shqipërisë”, Liri Berisha në vazhdim të turit të saj në institucionet e përkrahjes së njerëzve në nevojë ishte dje në Korçë. Berisha u prit fillimisht nga Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, drejtues të Pushtetit Vendor dhe veprimtare të organizatave jo qeveritare që janë të ingranuara me problemet sociale të banorëve të qarkut. Vizitën e parë zonja Berisha e zhvilloi në shtëpinë e foshnjës “Lulet e Vogla”. Ajo falënderoi stafin e këtij institucioni për kujdesin dhe dashurinë me të cilën punojnë me këta vogëlushë që kanë humbur sapo kanë ardhur në jetë dashurinë prindërore. Në këtë strehë rriten 16 fëmijë, ndërsa në shërbim të tyre gjatë 24 orëve pa ndërprerje punojnë 13 punonjëse dhe drejtuese. Pasi u interesua për shëndetin e tyre, zonja Berisha u ka dhuruar një mori lojërash didaktike, revistash, veshje etj. “Këta fëmijë kanë mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme të fondacionit”, u shpreh Berisha. Mes një grupi pensionistësh, me të cilët u takua më pas, Liri Berisha premtoi se fondacioni që ajo drejton do të ketë në vëmendje edhe shqetësimet shëndetësore të moshës së tretë, për të cilat do të japë ndihmesë konkrete falas, me ndihmën edhe të stafit të Spitalit Amerikan në Tiranë. “Ne vlerësojmë sakrificat, mundin, mençurinë, urtësinë dhe gjithçka të mirë që afron mosha juaj. Ndaj u qëndrojmë pranë dhe nuk ju harrojmë”, u shpreh Berisha. j.gj