Shkolla “Nobel” dhurata për shtëpinë e të moshuarve
Një ditë ndryshe në Shtëpinë e te moshuarve ne Tiranë. Ajo ka pritur dje në ambientet e saj nxënës dhe drejtues te shkollës 12- vjeçare jo publike “Nobel”. Ngrohtësi dhe argëtim u është dhuruar të moshuarve nga nxënësit e mësuesit. Drejtoresha e shkollës “Nobel”, Lydra Biçoku, tha se ndihmesa e shtresave në nevojë është një nga misionet e shkollës. “E kemi pjesë të punës sonë edukative, pjesë të programit tonë mësimor, shërbimin ndaj njerëzve në nevojë, ndaj të moshuarve dhe e trajtojmë këtë si një aspekt human të gjithë punës sonë edukative. Nxënësit kishin dëshirë t’ju përshëndesnin dhe njëkohësisht kanë sjellë për ju disa dhurata modeste”, tha Biçoku. Sipas saj, një tjetër dhuratë ishte përgatitur për të moshuarit edhe nga presidenti i shkollës, zoti Mustafa Taçi. “Ai ka dëshiruar t’ju sjellë një qendër të impiantit, e cila do të ndihmojë argëtimin tuaj”, u shpreh zonja Biçoku. Në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë, aktualisht strehon rreth 24 persona, 20 të moshuar burra dhe katër gra. Për shtëpinë e të moshuarve çdo akt i tillë solidariteti është ndihmesë dhe rikthim i buzëqeshjes për moshën e tretë. Kjo pasi dashurinë që nuk mund të marrin përditshëm nga nipërit, mbesat e fëmijët pasi jetojnë në këtë institucion ua zëvendësojnë sadopak të gjithë ata që i vizitojnë. Fatkeqësisht fenomeni i braktisjes së të moshuarve po gjen gjithnjë e më shumë terren. Që prej gjashtëmujorit të dytë të 2008 e deri tani ka pasur një shifër rekord kërkesash për t’u strehuar, ku numërohen mbi 400 të tilla. Por edhe për tu pranuar në azil të moshuarit përzgjidhen me anë të një komisioni. Sipas të dhënave nga Shërbimi Social Shtetëror mesatarisht çdo muaj ka rreth 30 kërkesa për strehim. Në vendin tonë, janë pesë institucione për strehim që janë të ngritura në qytetin e Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës, Kavajës dhe në Tiranë, ku numri i pjesëtarëve, sa vjen e shtohet.