E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i gjirit, 4 herë më shumë shfaqet në qytet

 

Rritet numri i femrave që diagnostikohen me kancer të gjirit. Janë rreth 600 raste të reja, ku pjesa më e madhe e zbulojnë sëmundjen në stad të avancuar. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, deklaroi dje se nëse kjo sëmundje do të kapej më herët atëherë edhe jetëgjatësia do të ishte më e lartë. “Çdo vit kemi 600 raste të reja, 120 prej të cilave përfundojnë me vdekje. Ne Shqipëri fenomen mbetet fakti që sëmundjet kapen me vonesë, atëherë kur mjekësia mund të bëjë shumë pak”, tha Ylli. Kanceri i gjirit prek 4 herë më shumë femrat që jetojnë në zonat urbane sesa në zonat rurale. Kjo për shkak të  mënyrës së jetesës. Lindja e fëmijëve në moshë të vonë, dietat, jeta sedentare, seksi por edhe mosha ndikojnë në formimin e kancerit të gjirit. “Në zonat urbane ndeshet katër herë më shumë se në ato rurale. Po ashtu varet edhe nga lindja e fëmijëve. Një grua që ka lindur në moshën 20-vjeçare është më e mbrojtur se ajo që lind pas moshës 35-vjeçare”, sqarojnë mjekët. Instituti i Shëndetit Publik po trajnon mjekët dhe do të hapë disa laboratorë për zhvillimin e mamografisë, por kjo kërkon që edhe vetë gratë të ndërgjegjësohen për kryerjen e të gjitha vizitave mjekësore në mënyrë të rregullt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›