Alarm në Patos, bie zjarr pranë depos së armëve
PATOS/ MAJLINDA RAMA
Zjarri në afërsi të Patosit rrezikon depot e municioneve. Banorët e fshatit Lalar u përfshinë nga paniku kur një sipërfaqe e konsiderueshme u mbulua nga flakët. Rreth 60 hektarë sipas të dhënave u vunë nën kthetrat e zjarrit, duke rrezikuar afrimin e tij në një depo të madhe armësh, ndërsa poshtë saj dhe 7 të tjera. Rreth orës 13:00 pas mesdite, një vatër zjarri fillimisht e vogël ka përfshirë një pjesë me barishte anës rrugës, por brenda pak minutash gjithçka është pushtuar nga zjarri e tymi. Më shumë se 1500 rrënjë ullinj janë djegur totalisht e ndërsa paniku e frika ka përfshirë të gjithë zonën. Kanë qenë banorët e fshatit Lalar ata që kanë pikasur të parët flakët e që kanë lajmëruar edhe forcat zjarrfikëse. "U trembëm pasi flakët po përparonin me shpejtësi të madhe dhe nuk kishim asnjë mundësi për t'i shuar ato. Pamë që zjarri përpiu shkurret anës rrugës, e më pas morën flakë menjëherë edhe ullinjtë. Shumë parcela janë djegur totalisht. Megjithë dëmin e shkaktuar tek ullinjtë, më shumë i trembemi faktit që këtu pranë është edhe një depo armatimesh, brenda së cilës ndodhet një sasi municionesh e armësh. Kemi dëgjuar shpërthime dhe plasje të njëpasnjëshme dhe kemi marrë fëmijët e jemi larguar". Me këto fjalë Mehmet Ymeri ka përshkuar situatën e krijuar fare pranë banesës së tij. Frika që ka pushtuar banorët ka qenë më e madhe edhe për faktin se një depo armatimesh ndodhet krejtësisht e ekspozuar nga flakët dhe e pambrojtur. Duke parë agravimin e situatës dhe përhapjen e flakëve, forca të shumta policore dhe zjarrfikëse janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Por, siç tregojnë ata vetë, u ndeshën në vështirësi gjatë ndërhyrjes për shkak të terrenit të papërshtatshëm. "U lajmëruam nga banorët sapo kishin shpërthyer flakët e para. Morëm të gjitha masat për të shuar zjarrin, por u gjendëm përballë një situate tejet të vështirë. Terreni i thyer në këtë zonë, nuk të krijon mundësinë të ndërhysh me automjetin zjarrfikës deri në vatrën e zjarrit, ndaj jemi detyruar të ndërhyjmë në këmbë. Këtu ndodhen gjithsej 8 godina që shërbejnë për mbajtjen e municioneve, por vetëm njëra prej tyre ndodhej më pranë flakëve. Mendojmë se me këto ndërhyrje të bëra rreziku ka kaluar dhe situata është nën kontroll", u shpreh Agim Merkaj, punonjës i repartit zjarrfikës. Në momentin që mbërritën forcat e ndërhyrjes zjarrfikëse, flakët kishin shkrumbuar disa parcela me ullishta, e ndërsa u arrit të parandalohej djegia e depos së municioneve. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur gjithashtu edhe grupi hetimor, për të përcaktuar edhe shkaqet e rënies së këtij zjarri. Nga hetimet e deritanishme nuk ka arritur të dalë ende shkaktari i këtij zjarri, i cili nuk është i pari i të tilla përmasave në rrethin e Fierit. Vetëm një ditë më parë kjo zonë u godit nga dy raste zjarresh, njëri prej të cilëve krijoi probleme dhe në rrugën Fier-Vlorë.