E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga sëmundja, vetëvritet gardiania

 

LUSHNJE - Vetëvritet gardiania e burgut të Kosovës në rrethin e Lushnjës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në banesën e 50-vjeçares Myzejen Xheva. Sipas burimeve policore mësohet se Xheva prej kohësh punonte si gardiane në burgun e Kosovës, nga ku kishte marrë leje disa ditë më parë. Dyshohet se një sëmundje e pashërueshme, e konfirmuar nga mjekët, e ka shtyrë gruan drejt vetëflijimit në kushtet e depresionit të rëndë mendor. E shtëna është dëgjuar nga familjarë dhe fqinjë të gruas, banore e qytetit të Lushnjës. Ata i kanë shkuar në ndihmë, por gruaja, nënë e dy fëmijëve të rritur, kishte ndërruar jetë. Një grup hetimor është ngritur për këtë ngjarje të rëndë, e radhës përsa i përket vetë-vrasjeve të gardianëve. Në pyetje janë marrë familjarët që kanë konfirmuar faktin se, Myzejeni kishte mësuar nga mjekët për sëmundjen nga e cila vuante. Ndërsa në punë nuk është konfirmuar ndonjë konflikt. Ky është rasti i tretë i vetëflijimeve të punonjësve të policisë së burgjeve. Dy të rinj i dhanë fund jetës, në kushtet e depresionit, një në burgun e Lezhës e tjetri në atë të Peqinit.                                      m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›