E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në Prishtinë, bombë në Rektorat e në gjykatë

 

Qytetarët e Prishtinës janë alarmuar dje nga njoftimet e njëpasnjëshme për vendosje eksplozivi, një herë në Rektorat dhe një herë në Gjykatën Supreme. Njoftimet erdhën pas telefonatave anonime që pasuan me ndërhyrjen e menjëhershme të policisë së Kosovës. Në Rektorat u vërtetua se ishte vendosur një granatë dore, pa mundur të zbulohet autorësia e aktit. Njësitet e KFOR-it rreth mesditës po punonin për çmontimin e mjetit shpërthyes, për të cilin nuk dihet ende se nga kush ka mundur të vendoset. “Rreth orës 8 në mëngjes të ditës së martë, policia është informuar për një mjet shpërthyes në Rektorat. Policia ka shkuar menjëherë dhe e ka kuptuar që bëhet fjalë për një granatë dore”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Njësitet e KFOR-it kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer shpërthimin e kontrolluar të mjetit shpërthyes. Ndërsa në Gjykatën Supreme, pas tri orë hetimi, policia doli në përfundimin se alarmi ishte fals. Operacioni për kontrollin e Gjykatës ka përfunduar rreth orës 17:10. Sipas “Express”, Njësitë e Çminimit kanë konfirmuar se nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes i dyshimtë. Një alarm për bombë ka detyruar punonjësit e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, rreth orës 14:00 të evakuojnë ndërtesën. Policia e Kosovës e kishte marrë seriozisht një telefonatë anonime që lajmëronte për vendosjen e një mjeti shpërthyes në ndërtesën e gjykatës, që ndodhet në afërsi të Kuvendit Komunal. Në operacion, për shkaqe sigurie, policia ka bllokuar një segment të rrugës “Ilir Konushevci”, ndërsa po vazhdon kërkimin dhe hetimin me qëllim të sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin. Njësitet speciale të policisë kanë kontrolluar zyrat, për të vërtetuar nëse alarmi ishte fals.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›