E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bill Klinton në Kosovë për përurimin e shtatores

 

Prishtina ka shtyrë për muajin e ardhshëm përurimin e shtatores së ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë. Arsyeja është mëse e justifikueshme. Bill Klinton do të jetë në Prishtinë ditën e përurimit, dhe kjo ditë mund të jetë vetëm në fillim të nëntorit, për shkak të obligimeve të tij. “Manifestimi i paraparë të mbahet sot, më 13 tetor 2009, në orën 15:00, me rastin e ngritjes së shtatores së ish-presidentit amerikan, Bill Klinton në Prishtinë, shtyhet për arsye të pjesëmarrjes së ish-presidentit Klinton, që është konfirmuar për fillimin e muajit të ardhshëm”, ka njoftuar zyra e Kryeministrit të Kosovës. “Ekspress” kujton se nisma për vendosjen e shtatores është ndërmarrë nga shoqata “Miqtë e Amerikës, miqtë e Bill Klintonit”, në shenjë falënderimi për ish-presidentin Klinton, i cili dha kontribut të madh për lirinë e Kosovës. Skulptura që peshon 900 kg dhe është e gjatë 3 metra është punuar nga skulptori Izeir Mustafa. Ajo është vendosur të hënën në mbrëmje në bazamentin e lartë 3 metra, pasi përurimi pritej të bëhej dje, por në momentin e fundit është shtyrë për në fillim të nëntorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›