Uashington Post: Berluskoni, një karikaturë
“Uashington Post” ka marrë përsëri në shënjestër Silvio Berluskonin. E përditshmja amerikane që hetoi skandalin “Uatergate”, që çoi në dorëheqjen e Presidentit Nikson, shkruan se Berluskoni “është akuzuar për evazion fiskal, korrupsion dhe presion për shtypin, bashkëshortja e ka lënë pas deklarimit se ai shkonte me prostituta dhe bënte orgji në vilën e tij në Sardenjë, bën gafa të sikletshme dhe vazhdon të përsërisë atë të nxirjes së Obamës, është në luftë me Gjykatën italiane, në luftë me pothuajse të gjithë gazetarët që nuk punojnë për të dhe me Kishën Katolike, dhe për më tepër Kushtetuesja i ka hequr imunitetin, pra mund të presim një seri të re procesesh kundër tij. Megjithatë, italianët e votojnë. Pse?”, shkruan gazeta. Sipas saj ka disa arsye. Në Itali është zhdukur një gjeneratë e liderëve politikë. Veç kësaj, ai ka një mjet që të tjerët nuk e kanë, televizionin. Por ka edhe diçka tjetër, dhe këtë tjetrën ai e ofron si “pasqyrë të italianëve”: të atyre që aspirojnë të jenë “të pasur, të rinj e ta tregojnë këtë”, që duan gratë dhe futbollin, (ai është pronari i Milanit), që janë besnikë të miqve “sa i mbron me ligje që nxjerr” dhe që dinë të zbaviten në festa. “Një version karikaturë i jetës ideale italiane. Me Berluskonin kryeministër, nuk ke nevojë të mendosh shumë seriozisht”, shkruan “Uashington Post”.