E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shenja mbi ekran”,filma me personazhe të veçantë

 

Dikush ëndërron një biçikletë, një tjetër të ecë, një tjetër të shohë ngjyrat e ditës. Ndërsa për këdo të gjitha këto nuk përbëjnë dëshira, por janë pjesë e përditshmërisë, për ta janë ëndrra, që ndodh edhe të mos realizohen kurrë. “Shenja mbi ekran” është një cikël me katër filma të shkurtër të realizuar nga regjisorët Kledi Kapexhiu, Ibrahim Muçaj dhe Erard Gjermeni, të cilët kanë drejtuar një staf “të pazakontë” aktorësh. Rreth 26 persona me aftësi të kufizuara janë përfshirë në realizimin e filmave “Drita e shpirtit”, “Një ëndërr me dy rrota”, “Tre miq” dhe “Një hap”, që do të shfaqen premierë sot në kinema “Millennium”. Puna për këto filma ka filluar që në muajin korrik të këtij viti, kur personave që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë dhe atyre paraplegjikë, u janë dhënë disa leksioneve dhe njohuri mbi gjuhën audio-vizuale, për të vazhduar më pas me xhirimin e katër filmave me metrazh të shkurtër, krijuar nga historitë e sjella nga vetë personat e përfshirë në projekt. Edhe procesi i krijimit është regjistruar në një dokumentar që titullohet “Shenja mbi ekran”. Artistët që kanë udhëhequr këtë projekt të organizatës “Akt” dhe të mbështetur financiarisht nga Ambasada Holandeze, besojnë se u kanë dhënë mundësi personave me aftësi të kufizuara, të shfrytëzojnë gjuhën unike të filmit për të shprehur sa më mirë ndjenjat, mendimet, idetë, dëshirat apo qëndrimet e tyre. Pas shfaqjes në kinema “Millennium”, filmat do të projektohen edhe në sheshe të hapura të metropolit.
Filmi “Drita e shpirtit” tregon një udhëtim të pjesëmarrësve në këtë projekt, gjatë të së cilit ata njihen me njëri-tjetrin dhe përmes historive personale, ata gjejnë vetveten.
“Një ëndërr me dy rrota” tregon për ëndrrën e një djali të verbër për të pasur një biçikletë. “Një hap” është rrugëtimi i vështirë i një gruaje, e cila më në fund vendos të dalë nga shtëpia për të shkuar atje ku ka dashur gjithmonë. Ndërsa “Shenja mbi ekran” është dokumentari që flet për gjithë procesin e krijimit të filmave, që kishin për aktorë këta njerëz të veçantë, por që kanë të njëjtat dëshira dhe ëndrra si gjithë të tjerët.    

Filma

“Drita e shpirtit”
“Një ëndërr me dy rrota”
“Tre miq”
“Një hap”
“Shenja mbi ekran

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›