Ndryshimet në Kabinetin Thaçi, cilët ikin dhe cilët vijnë në Qeveri
Kryeministri Hashim Thaçi pritet që këtë javë të bëjë publike ndryshimet në Kabinetin e tij, të paralajmëruara qysh më 19 nëntor të vitit të kaluar, kur u thellua përçarja brenda koalicionit PDK-LDK. Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës janë shprehur se lista e ndryshimeve të ministrave është duke u diskutuar mes partnerëve të koalicionit. Sipas gazetës “Express”, Nekibe Kelmendi (Ministre e Drejtësisë), Idriz Vehapi (Ministër i Bujqësisë), Alush Gashi (Ministër i Shëndetësisë) dhe Nenad Rasiç (Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale) mund të largohen nga Qeveria. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, po ashtu, planifikohet të shkarkohet nga përgjegjësia që mban aktualisht, por mund të emërohet Zëvendësministër i Integrimeve, një ministri kjo që do të themelohet ditëve të ardhshme. “Aktualisht për Ministër të Punëve të Brendshme përmendet Hajredin Kuçi, i cili njëherësh do ta mbante edhe postin e Zëvendëskryeministrit. Mirëpo nuk dihet nëse ai do ta pranojë këtë funksion”, ka thënë një burim i “Express”-it. Sipas gazetës, riformatimi nuk ka qenë asnjëherë temë, në kryesitë e partive politike në Qeverinë e Kosovës (PDK dhe LDK). Gjithçka është zhvilluar në takimet konfidenciale që i ka zhvilluar Kryeministri Thaçi me Presidentin Sejdiu. Një prej befasive më të mëdha të procesit të riformatizimit duket se është inkuadrimi i Grupit Parlamentar për Integrim, bashkim i shtatë deputetëve nga komunitetet minoritare të vendit. “Grupi për Integrim pritet ta marrë Ministrinë e Bujqësisë. Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do t’i kalojë PDK-së”, sipas burimit të “Express”-it. Aktualisht Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale udhëhiqet nga Nenad Rasiç, i cili është pjesë e Partisë së Pavarur Liberale, parti kjo që udhëheq edhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. (Express)