Bie nga tarraca, vdes 40-vjeçari në Paskuqan
TIRANE - Një 40-vjeçar humbi jetën dje, pasi ra nga tarraca e një shtëpie dy katëshe në Paskuqan, në periferi të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, kur Gazmend Hela po kryente disa punime në tarracën e shtëpisë së hallës së vet. Por në momentin kur po rregullonte depozitën e ujit, ra në kontakt me një kabëll të zhveshur elektrik dhe rryma e përplasi duke e shtyrë disa metra larg vendit ku ndodhej. Si rezultat, ai ra nga tarraca në tokë pa ndjenja. Të afërmit e tij, që ndodheshin bashkë me të duke punuar, e transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se dy orë pasi ka hyrë në sallën e operacionit, 40 -vjeçari Gazmend Hela, u nda nga jeta në duart e mjekëve. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak mësohet se vdekja e tij erdhi si rezultat i hemorragjisë së brendshme, e shkaktuar nga përplasja e fortë me tokën, edhe pse lartësia nuk ishte e madhe. Mjekët thanë se Gazmend Hela ka rënë me forcë nga tarraca, duke qenë se është shtyrë edhe nga korrenti. Rreth orës 13:30, trupi i pajetë i 40-vjeçarit u transportua në morgun e Tiranës e më pas u morr nga familjarët. Gazmend Hela, jetonte një pallat pranë Medresesë në Tiranë, por duke qenë se herë pas here merrej me ndërtim, kishte shkuar në Paskuqan për të ndihmuar të afërmit për rregullimin e tarracës së shtëpisë. Policia tha se vdekja e babait të 3 fëmijëve ka qenë aksidentale dhe në momentin që ka rënë nga tarraca e banesës private, ka qenë duke punuar. Në këtë kohë, të afërmit ndodheshin në oborrin e banesës. e.d