E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aprovohet ligji historik i Obamës



Reforma historike e Barak Obamës në sistemin shëndetësor pret vetëm firmën e tij për t’u kthyer në ligj. Dhoma Përfaqësuese e miratoi reformën e shëndetit me testin e ndryshuar nga Senati. Reforma ishte konsideruar sfida më e madhe për Barak Obamën, që kur ka marrë Presidencën, pasi kishte kundërshtimin e fortë të republikanëve, të cilët i druheshin dëmtimit të shtyllave të sistemit të sigurimit në Shtetet e Bashkuara. Ky votim ka kaluar në histori. Teksti i Senatit u miratua me 219 vota pro dhe 212 kundër. Asnjë republikan, nga 178 të pranishëm nuk e ka mbështetur reformën, madje ajo është kundërshtuar edhe nga 34 demokratë. Reforma është miratuar falë votimit mbështetës të kundërshtarëve të abortit, të cilët kanë arritur të krijojnë një marrëveshje me Presidentin Obama. Votimi ishte shumë delikat, i miratuar me vetëm 7 vota më shumë se kundërshtarët e reformës. Votimi pro saj i kundërshtarëve të abortit ishte themelor. Ata arritën një dekret me Shtëpinë e Bardhë, mbi ndalimin e përdorimit të fondeve publike për ndërprerjet e vullnetshme të shtatzënisë. Reforma shëndetësore, edhe pse ka ngritur dyshime edhe mes vetë demokratëve, përbën një sfidë për industrinë farmaceutike dhe atë të sigurimeve. Aktualisht, bilanci federal është në rrezik, për shkak të rritjeve të mëdha të kostos së ndihmave mjekësore për të moshuarit (Medicare) dhe për të varfrit (Medicaid). Qëllimi i Presidentit Obama ishte të zvogëlonte koston e asistencës mjekësore me rreth 2.000 miliardë dollarë në dhjetë vjet. “Kostot do të përballohen mes të tjerash duke rritur taksat për familjet që fitojnë më shumë se një milion dollarë në vit, pra pa prekur klasat e mesme”, është shprehur Presidenti Obama. Qëllimi është për të siguruar shëndetin e rreth 32 milionë amerikanëve që nuk mund të sigurohen (mes tyre 8 milionë fëmijë) dhe t’u ndalohet 14.000 amerikanëve të humbin ato që kanë sepse nuk janë në gjendje të paguajnë. Apo edhe pse sëmuren dhe ndërkohë humbasin apo ndryshojnë punë (për shkak të “kushteve para-ekzistuese” që shpesh janë të detyruar t’u drejtohen sigurimeve private). Shpenzimet e parashikuara për këtë reformë janë 829 miliardë dollarë.

çfarë ndryshon

1. Informatizohet sistemi.
2. Më shumë mbështetje për sëmundje të përhershme (si diabeti).
3. Ulje e kostos duke rritur konkurrencën në sektorin farmaceutik dhe të sigurimit.
4. Ulje e kostos për sëmundjet për të punësuarit dhe punëdhënësit.
5. Mundësi për të zgjedhur sigurimin.
6. Kushte të reja më të sigurta.
7. Kredite për familje dhe sipërmarrës të vegjël.
8. Kontribute për punëtorët.
9. Mbulim shëndetësor për fëmijët.
10. Zgjerim i “Medicaid” dhe “Schip” (programi që ndihmon fëmijët).
11. Fleksibilitet për planet federale.

Obama: Mund të bëjmë gjëra të mëdha
“Me këtë votim ne i kemi treguar botës, se jemi një popull i aftë për të bërë akoma gjëra të mëdha. Ndryshimi nuk do të jetë një zbritje nga lart, por një ngjitje nga poshtë-lart. E di që nuk ishte një votim i thjeshtë, por duhet të dini se keni dhënë votën e duhur. Kemi bërë të mundur atë që skeptikët thoshin se nuk ishte e realizueshme”, tha Obama menjëherë pas miratimit të reformës shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›