E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë në burg Alban Rexhën



Armand Bajrami

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda konfirmon masën e sigurisë “arrest me burg” për Alban Rexhën, personazh i njohur në spektaklin televiziv “Kafazi i Artë”. Vendimi u shpall dje nga togat e zeza të kësaj gjykate. Njëkohësisht, Apeli ndryshoi kualifikimin e veprës penale nga “vrasje për shkak të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë” në “kanosje”. Sipas vendimit të djeshëm, ish-futbollisti dhe personazhi i shumëpërfolur i “Kafazit të Artë” me nofkën “Ujku” do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Pas vendimit të djeshëm të Apelit, që shmangu akuzën e “vrasjes në tentative” ka gjasa që gjykimi i dosjes në ngarkim të tij, të kalojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Rexha u vu nën akuzë, si një nga katër personat e përfshirë në një shkëmbim zjarri me forcat e policisë, në ditët e fundit të vitit 2009 në zonën e Selitës në Tiranë.
SEANCA
“Ujku” i “Kafazit të Artë” u paraqit dje në gjykatën e Apelit për ankimin mbi vendimin e datës 1 mars 2010 të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, që e la në “arrest me burg”. Në seancë, mbrojtësit ligjorë të Rexhës kanë pretenduar vlerësimin e paligjshëm të arrestimit të klientit të tyre, si edhe një masë më të lehtë sigurie për të. Pasi është njohur edhe me pretendimet e palës së akuzës, gjykata ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për të pandehurin Rexha. Ndërkohë, gjyqtarët kanë “rrëzuar” një nga akuzat e Prokurorisë për Rexhën. Mësohet se sipas Apelit, nuk ekzistonin dyshimet e arsyeshme që Rexha të akuzohej për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë”. Apeli vlerësoi dje si të paligjshëm arrestimin e Rexhës në 26 shkurt të këtij viti, në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda. Mësohet se paligjshmëria e arrestit është argumentuar me faktin se Rexha ishte paraqitur me dëshirë në godinën e Prokurorisë. Aktualisht, Alban Rexha akuzohet për “kanosje”, “kundërshtim me dhunë i uniformës së Rendit” dhe për “armëmbajtje pa leje”.
REXHA
I pandehuri Rexha ka qenë prezent dje në seancën e ankimit ndaj “arrestit me burg” në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Burime brenda seancës pohuan se edhe dje Rexha ka shprehur para gjykatës të njëjtin qëndrim të mbajtur edhe në Shkallën e Parë. “Unë kam ardhur me dëshirë në Prokurori. Kam ardhur për t’u vetëdorësuar. U paraqita që të ndihmoj Prokurorinë për hetimin e ngjarjes dhe drejtësinë për zbardhjen e së vërtetës”, mësohet të jetë shprehur nga qelia e sallës Alban Rexha. Rexha qëndroi për më tepër se një muaj e gjysmë në “kërkim policor”. Emri i tij u “skedua” pas ngjarjes së 29 dhjetorit, në zonën e Selitës në kryeqytet, ku dyshohej se ai dhe tre miq të tij nuk iu bindën urdhrit të një patrulle policie. Përpos këtij harku kohor, policia ekzekutoi arrestimin e tij vetëm kur ai u paraqit për t’u vetëdorëzuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Arrestimi në ambientet e gjykatës në Tiranë

TIRANE – Paraditen e 26 shkurtit 2010, në një kohë që kërkohej nga policia që prej ditëve të para të janarit, Alban Rexha u paraqit në ambientet e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Referuar thënieve të avokatëve të tij mbrojtës, Rexha kishte ardhur për t’u vetëdorëzuar. Fillimisht, ai është shfaqur në Gjykatën për Krimet e Rënda, për shkak të ambienteve të përbashkëta të saj me godinën e Prokurorisë. Për një farë kohë ai është futur në një seancë tjetër gjyqësore, vetëm për të qenë nën shoqërinë e avokateve të tij. Por në mbarim të kësaj seancë, ai është përballur me punonjës civile policie që i kanë vënë prangat. Prangosja e Rexhës krijoi konfuzion në ambientet e gjykatës. Pas ngjarjes, avokatët u shprehën për “Panorama” se u ndjenë “të tradhtuar nga Prokuroria”. “Ishte një vetëdorëzim. Kontaktuam me prokurorin e çështjes dhe vendosëm që klienti të paraqitej në Prokurori për të dhënë deklarime dhe për të vijuar më tej me veprimet e nevojshme procedurale”, u shpreh mbrojtësja e tij ligjor. Sipas avokatëve, policët që realizuan arrestimin ishin civile dhe nuk paraqitën asnjë dokument identifikimi. ar.ba

Grupi i të rinjve qëlloi policinë
TIRANE – Ngjarja për të cilën Alban Rexha duhet të përballet me drejtësinë, u shënuar mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009 në zonën e Selitës në Tiranë. Sipas policisë, katër persona iu përgjigjën me breshëri armësh automatike shenjës për ndalesë nga një patrullë policie. Pas ngjarjes u arrestuan, si autorë të dyshuar të saj P. Serjani, 26 vjeç, Sh. Mejdani, 21 vjeç dhe E. Gega, 24 vjeç. Ndërkohë, Rexha u identifikua nga policia si i dyshuari i katërt në ngjarje. “Arrestimi i tyre u bë për arsye se në rrugën ‘Irfan Tomini’, pas shenjës për të ndaluar që u kanë bërë punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë së Komisariatit Nr.2 Tiranë, kanë qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë”, njoftoi zyrtarisht pas ngjarjes Policia e Shtetit. Sipas policisë, në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë provës materiale, një automatik tip model.56 me dy krehër, një armë pistoletë, disa gëzhoja arme, një automjet tip ‘Mercedes benz’ me targë BOT QA997 si dhe disa aparate celularë. Aktualisht të katër të dyshuarit e ngjarjes janë në masën e sigurisë “arrest me burg”. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›