Nikola Sarkozi, gati për të ndryshuar Kabinetin
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave në zgjedhjet lokale në Francë, socialistët kanë fituar 54 për qind të votave të përgjithshme dhe partia konservatore UMP dhe aleatët e saj kanë marrë 34 për qind. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 51 për qind e francezëve me të drejtë vote. E majta franceze në opozitë ka korrur fitore në zgjedhjet rajonale, pas raundit të dytë dhe përfundimtar të zgjedhjeve, duke shprehur ndëshkimin e francezëve ndaj të djathtës së qendrës, të Presidentit Nikola Sarkozi dhe reformave të tij. Tashmë socialistët do të kontrollojnë 22 nga 26 rajonet e vendit dhe territoreve që ka Franca. Kryeministri François Fillon e quajti zhgënjyes rezultatin, por tha se reformat ekonomike ishin të nevojshme për të paguar për stilin e jetës së francezëve. Sipas mediave, Kryeministri me sa duket do të japë dorëheqjen, por Presidenti Sarkozi do ta riemërojë atë në krye të një kabineti të riorganizuar. Në një fjalim të transmetuar në televizion, Martine Aubry, shefja e Partisë Socialiste në opozitë, tha se vota i dërgoi një mesazh të fuqishëm Qeverisë së qendrës së djathtë të Presidentit Nikola Sarkozi dhe partisë UMP në pushtet. Aubry tha se vota arriti të dërgonte porosinë qortuese ndaj atyre, që ajo i përshkroi si politika të padrejta të Qeverisë, ku përfshiheshin uljet e tatimeve për shtresën e pasur në kurriz të luftës ndaj papunësisë dhe kujdesit për të moshuarit. Në fjalimin e tij drejtuar vendit të shtunën, Kryeministri François Fillon tha se Qeveria e ka kuptuar mesazhin e votuesve.