“Ne, oficerët e raketave që vuajmë pasojat e rrezatimit”
AFRIM IMAJ
Ushtarakët e raketave shuhen pa mbushur 60 vjeç! Lajmi tronditës u bë publik në numrin e djeshëm të gazetës, bashkë me një retrospektivë të trishtuar për fatin e tyre. Ka ndodhur në këtë komunitet një dramë e vërtetë, pasojat e së cilës kanë qenë tragjike. Vetëm dekadën e fundit janë shuar në efektin e rrezeve 24 ushtarakë, të gjithë të moshës 40-55 vjeç. Mjaft syresh vazhdojnë të vuajnë nga sëmundje të rënda. Përtej statistikave, radiobiologu Spiro Mëhilli, ofroi për gazetën përjetimet nga periudha kur mjekonte personelin që shërbente pranë teknikës rrezatuese, bashkë me argumentet shkencorë për gjenezën e diagnozës fatale. Ndër të tjera, ai tërhoqi vëmendjen për një përkujdesje të veçantë ndaj pjesës jashtë shërbimit ushtarak, të cilës i duhet një kosto shumë e lartë për t’u mjekuar nga pasojat e sëmundjeve të rënda. Lidhur me shkrimin e djeshëm të “Panorama” ka pasur shumë reagime edhe nga vet protagonistët e kësaj historie të dhimbshme. Më poshtë po sjellim njërën nga letrat që ka ardhur mbrëmë në redaksi...Respekt dhe mirënjohje! Me këto dy fjalë e fillojnë letrën e tyre në adresë të gazetës një grup ushtarakësh në rezervë, ish efektivë të bazave të raketave për shumë vite. Të lënduar nga lajmi tronditës “Drama e panjohur e oficerëve të raketave” botuar në numrin e djeshëm të “Panorama”, pohojnë vërtetësinë e tij duke shtuar emrat e ish kolegëve që kanë ndërruar jetë vitet e fundit. Janë të ndërgjegjshëm për kontributin e demonstruar gjatë karrierës ushtarake, por sakaq ndjehen të pezmatuar nga indiferentizmi i shtetit dhe shoqërisë ndaj halleve të tyre. Nuk e kanë për natyre maninë e ankesave pa vend, por janë të zhgënjyer nga zvarritja pafund e fatit të statusit të tyre. Përtej lëndimit të sëmundjes, plaga tjetër që përjetojnë ka të bëjë me gjendjen sociale të tyre. Nga 15000 lekë që marrin në muaj si pension të parakohshëm, më shumë se gjysma ju duhet për mjekimin e specializuar dhe medikamentet e shtrenjta. Po çfarë shkruajnë tjetër në letrën e tyre miqtë e oficerëve që janë shuar në efektin e rrezeve...
Letra
Përshëndetje të përzemërta! Ne që po ju drejtohemi, jemi një grup ish-oficerësh që kemi shërbyer në armën speciale të raketave. Sinqerisht ndihemi të lumtur që gazeta juaj mori iniciativën dhe pasqyroi realisht historinë dramatike dhe kontributin e gjithë atyre ushtarakëve, të cilët shërbyen me dinjitet, përkushtim dhe aftësi në armën e raketave të drejtuara kundërajrore. Refleksioni i numrit të djeshëm, në gazetën “Panorama” për njerëzit që kanë shërbyer në këtë armë të rëndësishme të Forcave tona të Armatosura, është një kujtesë e mrekullueshme që zbulon dhe një problematikë të trishtuar të panjohur nga opinioni qytetar. Me shkrimin tuaj, na zgjuat ato kujtime, sa të dashura aq edhe të hidhura, sa krenare për armën që kemi shërbyer, aq edhe lënduese kur bëhej fjalë për shokët që nuk i kemi më, por edhe për ata që përpëliten në shtratin e sëmundjes. Të tilla ngjarje ne i risjellim gati çdo ditë në takimet tona, ku hera herës përballë pyetjes që i bëjmë njeri-tjetrit për shëndetin, marrim përgjigjen e zakonshme se nuk jam mirë; u shtrova në spital; po bëj këtë kurë mjekësore etj etj.
“Panorama” na dha rastin t’u kthehemi dhe një herë me nderim shokëve që nuk jetojnë, të cilët i përmend me emra gazeta juaj, po njëherazi të kthejmë vëmendjen me dashuri edhe ndaj atyre që ende vazhdojnë të vuajnë nga sëmundjet e pashërueshme, siç i përshkruan ne intervistën e tij mjeku i nderuar Spiro Mehilli. Faik Myftari, Mehill Pertena, Masar Shero, Sokol Balia, Alush Bisha janë vetëm një pjesë e miqve tanë të sëmurë.
Shkrimi juaj ka në vetvete një dhimbje për jetën e tërë atyre kuadrove që kanë shërbyer nën veprimin e rrezeve vdekjeprurëse dhe që është një realitet, i cili padyshim kërkon edhe një ndërgjegjësim dhe veprim real për trajtimin e tyre specifik nga ana e shtetit shqiptar e që ndikon ndjeshëm në jetën e tyre ekonomike dhe shëndetësore.
Me shkrimin tuaj dhe problemin që ngrini aty për jetën dhe veprimtarinë e ushtarakëve që kanë shërbyer në raketa dhe në përgjithësi ne radiolokacion, demonstruat jo vetëm profesionalizmin për të zbardhur të vërtetën, por edhe ndërgjegjen e lartë qytetare. As më shumë dhe as më pak ju ngrini zërin për një çështje humane siç është jeta e njeriut, për kujdesin ndaj tij, për të drejtat që meritojnë këta njerëz që kanë kontribuar me shpirt dhe energji për Atdheun, duke sakrifikuar shumë nga vetja për detyrën, e pse jo duke neglizhuar hera herës për shëndetin e tyre. Ne do të vazhdojmë të jemi krenarë për detyrat që kemi përmbushur në emër të një çështjeje të madhe, siç është mbrojtja e vendit. Me kurajë do përballojmë dhe pasojat e sëmundjeve që na shfaqen herë pas here.
Edhe një herë ju falënderojmë përzemërsisht dhe shpresojmë që apeli i ngritur nga gazeta të vlerësohet drejt.
Me respekt,
Misir Balla,
Bashkim Karapataqi,
Luan Mydellari,
Spiro Laci,
Alqi Romano,
Sander Luka.
Ushtaraket e vdekur 2000-2010
Pëllumb Gjondeda 57 vjeç
Spartak Minga 42
Safet Malaj 59
Thoma Gjylameti 56
Jovan Buli 37
Mersin Baxhaku 51
Avdo Thanasi 59
Abas Kasa 47
Agim Stojku 45
Qerim Katroshi 50
Ramiz Qerimi 52
Gani Peli 55
Shyqyri Peli 50
Todi Perriu 30
Thoma Jorgji 49
Ekzemplari Misir Balla, jeton 60 vjet, por edhe ky i sëmurë
TIRANE - Ka një libër të shkrimtarit të njohur amerikan Xhek London të titulluar “The People of the Abyss” dhe të përkthyer mbase “Njerëzit e gjirizit” të publikuar më 1903, që ka në qendër mjerimin e banorëve të lagjeve periferike të Londrës. Mes të tjerave, shkrimtari i madh shkruan për shkatërrimin e shëndetit të punëtorëve në një fabrikë kimike. Ai përmend vdekjet e shpejta, pas vetëm pak vitesh punë, të punëtorëve në këtë fabrikë, pavarësisht moshës së tyre, dhe përmes përshkrimeve të fundeve të paevitueshme, veçon një rast. Veçon dhe shkruan me shumë fjalë për një rast të pazakontë, për një grua, që përmes shumë viteve, nuk ishte prekur nga efekti shkatërrues i helmeve. Por në fund edhe kjo i dorëzohet fatit dhe London e përmbyll historinë ekzaktësisht me këtë frazë: “Por më në fund edhe asaj i dolën jashtë funksionit të dy kyçet e duarve”.
I ngjashëm pikë për pikë duket të jetë edhe rasti shqiptar i Misir Ballës, ish-kryemjeshtrit të raketave, në ato kohëra një rol i barasvlefshëm me atë të kryeinxhinierit. Sepse Misiri ka arritur ti sfidojë që të gjithë kolegët me rezistencën e vet, pasi ka arritur të mbushë rrumbullak 60 vjet jetë. I kontaktuar me telefon nga redaksia ai, pasi dëgjoi me kujdes, e duket edhe u mendua pak, tha vetëm një fjali. Një fjali prekëse dhe dhimbse. Nuk llogariti veten dhe fatin e tij por kujtoi “të tjerët”. Tha vetëm: “Shkruani për ata që kanë ikur...” Miq të tij ndërkohë pohojnë se Misiri, për shkak të viteve të punës pranë raketave, vuan edhe ai nga bllokimi i kockave dhe se merr pafundësisht ilaçe. Pra edhe ai, si në rastin e protagonistes së Xhek Londonit, megjithë rezistencën e gjatë, nuk ka mundur t’i bëjë ballë sëmundjes së shkaktuar për shkak të pozicionit të punës. Po të njëjtët, miqtë e Misirit, pohuan se e dinë fare mirë se vlera e ilaçeve, që ai merr rregullisht, e kalon dyfish shifrën e pensionit të parakohshëm, një shume qesharake të përfituar pas rreth 30 vitesh punë-detyrë në repartin e raketave. Për më tepër duke qenë se në asnjë rast regjimi i dikurshëm nuk i dha banesë në Tiranë, Misir Balla vazhdon të jetojë në fshat, në periferi të Tiranës si produkt i një ish-shteti antihuman dhe tashmë si inventar i një tjetër shteti, që të paktën në rastin e tij dhe shumë të tjerëve, nuk ka dhënë ndonjë provë të kthimit pas të kokës. fe.de