Alarm nga anija e bllokuar,marinarët shtrohen në spital
DURRES - Një anije me tonazh të mesëm lëshon "SOS" në kapitanerinë e portit të Durrësit, pasi dy prej marinarëve të saj me kombësi egjiptiane, u sëmurën papritur. Bëhet fjalë për marinarët S.O. 62-vjeç dhe M.F. 53-vjeç, të cilët u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit. Njëri prej tyre vazhdon të qëndrojë nën trajtim të vazhdueshëm shëndetësor. Mjekët e Durrësit e lidhin gjendjen e rëndë shëndetësore të marinarëve egjiptianë, me kushtet e rënda higjienike dhe të të kequshqyerit në anije. Ky mjet lundrues, i quajtur "Evangjelos", qëndron i bllokuar nga kapitaneria në ujërat shqiptare prej 5 muajsh, për shkak të detyrimeve të pashlyera. Ndonëse administratori grek i anijes është munduar të furnizojë 10 marinarët e tij me ujë, karburant dhe ushqime, ato nuk kanë mjaftuar për një kohë kaq të gjatë. Mjeti lundrues nuk lëviz dot nga ujërat shqiptare, për shkak të një çështjeje të pazgjidhur gjyqësore, mes pronarëve të anijes dhe tregtarëve shqiptarë, që kishin paguar paratë për 1500 tonë pllaka zdrukthi. Gjatë rrugës, anija është përballur me një stuhi detare dhe ngarkesa është dëmtuar, si pasojë e lagështirës. Tregtarët kërkuan paratë, por në pamundësi për t'i marrë, çështja është ende në gjykatë. o.u