Meta nis turin në Veri të Shqipërisë
11/11/2004 Krerët e LSI-së u janë kthyer problemeve që ka Veriu i Shqipërisë. Dje pasdite u zhvillua mbledhja e zgjeruar e LSI-së të rrethit Dibër, ku mori pjesë Ilir Meta dhe Sokol Axhemi. Gjatë këtij takimi, kryetari i LSI-së së rrethit të Dibrës, Bajram Krashi, bëri një ekspoze të shtrirjes së deritanishme të LSI-së në të gjithë rrethin, si dhe vlerësoi mbarëvajtjen me sukses të fazës së dytë të organizimit të LSI në këtë rreth. Gjithashtu, të pranishmit në këtë takim evidentuan mbështetjen dhe përkrahjen e madhe që ka gjetur LSI në këtë rreth dhe u angazhuan që brenda dy muajsh të ketë përfunduar krijimi i organizatave të Lëvizjes Socialiste për Integrim në çdo qendër votimi dhe në çdo fshat të Dibrës. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi punën e bërë në rrethin e Dibrës që nga takimi themelues i degës, si dhe shtrirjen dhe rritjen e peshës së LSI-së në këtë rreth. Meta theksoi domosdoshmërinë e sqarimit të anëtarësisë së LSI-së, por edhe të banorëve edhe në zonat më të thella, për programin e LSI-së deri në detaje, veçanërisht për luftën ndaj varfërisë, kontrabandës dhe monopoleve dhe integrimin e zonave të thella përmes investimeve me fusha të ndryshme dhe kryesisht në infrastrukturë. Meta tërhoqi vëmendjen kundër fiktivitetit të anëtarësimeve në LSI, dhe kërkoi që të gjithë anëtarët, të shprehin mendimet dhe idetë e tyre për përmirësimet e programit dhe statutit. Nga ana e tij, nënkryetari i LSI-së, Axhemi, theksoi rëndësinë e angazhimit konkret të të gjithë intelektualëve që tashmë janë anëtarësuar në LSI për të përgatitur programin konkret për rrethin e Dibrës.