E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Koçiu nuk ka për të folur

13/11/2004  TIRANË –Sokol Koçiu nuk do të flasë më për përgjimin dhe transkriptimin e bisedës Nano-Abdiu. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, i pyetur nga gazetarët në kohën kur merrte pjesë në mbledhjen e KPD-së së Partisë Socialiste, tha dje se Sokol Koçiu nuk do të ketë një mundësi tjetër për të folur për çështjen “Nano-Lesi”, si ajo e djeshmja, nëpërmjet letrës për mediat. “Koçiu është i dënuar për një vepër të rëndë penale, ndaj vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë”, tha Xhafa.

Izolimi

I pyetur nga gazetarët për refuzimin nga Ministria e Drejtësisë, të kërkesave të medias për të intervistuar Koçiun, Xhafa tha se, nuk mund të bëhet fjalë për intervista dhe as për kontakte me ish-majorin e policisë, i cili ka hedhur firmën në transkriptimin e përgjimit të bisedës që është zhvilluar mes Kryeministrit Nano dhe ish-deputetit Fehmi Abdiu. “Nuk ka masë sigurie specifike për Koçiun. Ai vuan dënimin në kushte normale si gjithë të tjerët. Koçiu do të pyetet në të njëjtin burg nga Prokuroria dhe nuk do të transferohet në një burg tjetër”, u shpreh ministri i Drejtësisë. Ai tha se, Prokuroria e Përgjithshme ka filluar një çështje penale, në të cilën, sipas ministrit, Koçiu është i implikuar direkt. “Nuk bëhet fjalë për intervista apo kontakte”, tha Xhafa.

Hetimi

Prokuroria e Përgjithshme tha dje, se të vërtetën e përgjimit dhe transkriptimit të bisedës Nano-Abdiu, do ta kërkojë nga deputeti Nikollë Lesi dhe i burgosuri Sokol Koçiu. “Të martën e javës së ardhshme, Lesit do t'i kërkohet kaseta e regjistrimit dhe origjina nga e cila ai e ka marrë atë”, thanë dje burimet nga organi qendror i hetimeve. Sipas tyre, Sokol Koçiu, i cili ka pranuar transkriptimin gjatë kohës që është marrë dy herë në pyetje, do të pyetet sërish. Kësaj radhe, objekti i pyetjeve që do t'i drejtohen Koçiut, do të kërkojë personat që kanë urdhëruar dhe kanë patur dijeni për përgjimin, kushtet në të cilat është realizuar si dhe qëllimet e tij. “Nisur nga rrethanat dhe thëniet e Koçiut, ai rezulton të ketë dijeni për objektin e ardhshëm të pyetjeve ndaj tij”, thanë dje hetuesit.

“Aksidenti”

E gjithë biseda, përgjimi, transkriptimi dhe kaseta, Nano-Abdiu, rrezikojnë të jenë një “aksident” i fundvitit 1997. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje, se dosja ka disa prova, sipas të cilave në të vërtetë Nano dhe Abdiu nuk kanë qenë objektivi i përgjuesve. Autorët e regjistrimit të fshehtë, kishin planifikuar të regjistronin bisedën e dy personave të tjerë, klientë të zakonshm të hotel “Rogner” në Tiranë. Por regjistrimi i bisedës së zhvilluar mes Kryeministrit Nano dhe ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fehmi Abdiu, ka qenë një aksident. Sipas Prokurorisë, dy personat që kanë qenë objekti i përgjimit, nuk janë dukur në ambientet ku është kryer përgjimi, dhe në një mënyrë ende të paqartë, Nano dhe Abdiu kanë biseduar në tavolinën A 20, ku ishin vendosur pajisjet e përgjimit.

Arbnori tenton të takojë të dënuarit në qeli

Deputeti i Partisë Demokratike, Pjetër Arbnori ka bërë një vizitë dy ditë më parë në Burgun e Sigurisë së Lartë 302, në Tiranë. Takim me të arrestuarit e Lazaratit, por dhe një takim i mundshëm me Sokol Koçiun, kanë qenë synimet e deputetit. Ai ka bërë këtë udhëtim nën cilësinë e kryetarit të Komisionit kundër dhunës. Por autoritetet e burgut nuk kanë mundësuar takimet, pasi Arbnori, nuk ka pasur autorizimet përkatëse nga Ministria e Drejtësisë.

Deklarata e Koçiut për median

Dje në media mora dijeni se Parlamenti do të krijojë një Komision të posatshëm hetimor në lidhje me hetimin e procesverbalin në fjalë të mbajtur më datë 15.12.1997. Nisur nga ky fakt si dhe duke pasur parasysh se deklarimet e mëtejshme do të godasin drejtpërdrejt Prokurorin e Përgjithshëm aktual, Theodhori Sollaku, ish-prokurorin e Përgjithshëm, Arben Rakipi; Kryeministrin Fatos Nano; gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu si dhe shumë funksionarë të tjerë vendos: Ndërprerjen e shpjegimeve të mëtejshme për çështjen në fjalë ndaj organit të Prokurorisë.

Këto shpjegime si dhe provat përkatëse do t'i vë në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar të krijuar posaçërisht për këtë çështje.

Tiranë më 12.11. 2004. Deklaruesi S. Koçiu

KUSH ËSHTË PYETUR

Fatos Nano

Kryeministri Nano është pyetur tri ditë më parë nga hetuesit e dosjes “Lesi”. Gjatë marrjes së tij në pyetje, Kryeministri ka mohuar ta ketë bërë bisedën me Fehmi Abdiun në hotel “Rogner”, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Aldrin Dalipi, ka paraqitur dokumente, sipas të cilave në datën 15 dhjetor 1997, Nano ka zhvilluar një takim me ish-sekretarin e Jashtëm anglez, Robeen Cook.

Sokol Koçiu

Enigma e zhurmës së gjithë këtyre ditëve, ish-majori i policisë Sokol Koçiu, është marrë dy herë në pyetje. Ai ka pranuar se e ka kryer transkriptimin e bisedës Nano-Abdiu, ndërsa dy ditë më parë, ka publikuar vendimin e tij për të mos folur për Prokurorinë, por vetëm për Komisionin Hetimor Parlamentar.

Arben Rakipi

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, është pyetur dy ditë më parë nga prokurorët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organuzar në Prokurorinë e Përgjithshme. Rakipi ka thënë se nuk kishte dijeni për përgjimin, nuk ka patur dijeni për transkriptimin dhe se sipas detyrimit ligjor për përgjimet, nuk e kishte kërkuar e as urdhëruar një gjë të tillë.

Fehmi Abdiu

Ish-kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fehmi Abdiu, aktualisht, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, u ka thënë prokurorëve se nuk e ka bërë një bisedë si ajo që është paraqitur nga Nikollë Lesi. Ai ka mohuar të ketë qenë në hotel “Rogner” në datën kur, sipas dokumentit “Lesi” është kryer përgjimi.

KUSH DO PYETET

Lista e dëshmitarëve VIP, të cilët do të dëshmojnë për dosjen “Nano-Lesi”, vijon të martën me protagonistin Nikollë Lesi, të cilit do t'i kërkohet kaseta e përgjimit. Prokuroria ka planifikuar të marrë në pyetje ish-zyrtarë të tjerë të policisë, Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ, që, sipas ligjit, duhej të kishin patur dijeni për përgjimin dhe transkriptimin e bisedës Nano-Abdiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›