E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë "takimet" e Remziut me UDB-në

13/11/2004  TIRANË -Prova të reja mbërrijnë në dosjen hetimore për zhdukejn e tregtarit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Sipas informacioneve më të fundit të hetimit, biznesmeni që u mor me shitjen dhe përpunimin e arit në Shkup të Maqedonisë, dhe më pas në Ferizaj të Kosovës, është thirrur dhe arrestuar të paktën shtatë herë nga shërbimet sekrete serbe. Ishte koha kur babai i pesë fëmijëve, kishte filluar të anëtarësohej dukshëm në grupet e personave që po shpallnin një lëvizje të re politike në Kosovë. E prej anëtarësimit në vitin 1974, përfshihet në themelimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Fati i pritshëm

Ajo çfarë po i ndodhte tregtarit ishte kthyer në një përpjekje për vetë atë, në një makth për familjen dhe në një shqetësim për shokët. Herën e fundit (e shtata), që u mor dhe arrestua, u pyet për të dhënë shpjegime se ai ishte njëri prej financuesve të formacioneve ushtarake shqiptare, e si i tillë shumë shpejt do të burgosej. Remzi Hoxha kishte vetëm një alternativë që të largohej nga Kosova dhe më pas nga Maqedonia. Streha më e sigurtë ishte Tirana. Shkupi i kishte rezervuar të njëjtin fat, shoqërime në “polici” dhe seanca të vazhdueshme pyetjesh. Një veprim ky, për të cilin Hoxha mori jo vetëm pëlqimin e familjes, por edhe të shokëve të sindikatës.

Në Tiranë

Fundi i vitit 1991 e gjen Remzi Hoxhën dhe familjen e tij në Tiranë, duke u përpjekur të fillonte një jetë të re. Menjëherë ka blerë tre dyqane në Durrës dhe ka ndërtuar punishtn e duraluminit “Albatros” në afërsi të Frigoriferit (sot stacioni i trenit) në kryeqytetin shqiptar. Pa asnjë lajmërim paraprak, rreth orës 11.30 të datës 21 tetor 1995, Remzi Hoxha arrestohet në ambientet e firmës së tij dhe në prezencën e punëtorëve. Një autokolonë prej tri makinash “Golf”, “Jeep” dhe BMV, shkojnë në ambientet e firmës, i vënë prangat dhe i thonë t'i shoqëronte për një sqarim.

Telashet me serbët

I shpërngulur nga kryeqyteti maqedonas në vitin 1974, ku ishte diplomuar për kimi, Remzi Hoxha do ta kundërshtonte instalimin e regjimit serb në Kosovë, që në fillimet e tij. Pasi u përfshi në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, tregtari i sapoardhur nga Shkupi në Ferizaj, themeloi Sindikatën e Pavarur për Ekonominë e Vogël dhe Zejtarinë, si dhe mbajti kryesimin e saj deri në vitin 1992. Në njërën prej ditëve të viteve 1990, aktiviteti politik e sindikal i Remzi Hoxhës, do të kthehej në objektin e pyetjeve, që i drejtonin agjentët e UDB-së (Shërbimi Sekret serb), pasi e kishin detyruar t'i ndiqte.

UDB: Lehtësira nëse bashkëpunon

Prej atyre viteve, Remzi Hoxha, shqiptaro-maqedonas, teksa kishte mbaruar punën dhe shkonte në banesën e tij, ndalonte makinën i detyruar nga persona që i paraqiteshin si policë dhe më pas drejtonte mjetin e tij mes autokolonës së panjohur, në bazat sekrete të agjentëve serbë, të cilët e detyronin. Atje mbahej deri me netë të tëra, dhe më pas lirohej, duke i bërë të ditur se duhej të kishte kujdes, gjithçka që bënte ishte nën vëzhgim. Dhe për më tepër, nëse tregonte, lehtësirat do të shkonin në adresë të tij, sepse "...agjentët serbë dinin gjithçka...".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›