E Hënë, 2 Nëntor 2026

Alarmi, 1 varr për çdo 1000 banorë

04/03/2005  Plani i Bashkisë mbetet në letër se s’ka fonde

SHKODËR – Edhe 120 vende të lira në varrezat e Shkodrës. Këmbanat e alarmit për mungesë vendesh, në fushën e Stom Golemit, ku janë varrezat publike, kanë kohë që bien për veshët e shurdhët. Tashmë duket se nuk mban më “kosi ujë”, thonë përgjegjësit e varrezave, të cilët kanë filluar që ta kenë edhe ata të vështirë të orientojnë qytetarët për të gjetur banesën e fundit të të afërmve të tyre në parcelat e varrezave që kanë filluar të bëhen lëmsh. Duhet të mendohesh mirë të vdesësh apo jo në Shkodër tani. Ironikisht edhe pas vdekjes, shkodranët mund të “përballen” me mungesa. Sa janë gjallë, duhet të bashkëjetojnë me mungesat e vendeve të punës, kushteve ekonomike apo dhe të energjisë elektrike, tashmë duhet të fillojnë të kujdesen që dhe mos të vdesin, sepse për mungesë vendi mund të mbesin mbi dhe apo të fillojnë të varrosen nëpër oborre.

“S’ka ma vorre”

Sipas punonjësve të varrezave, tashmë nuk ka më shumë se 120 vende në varrezat publike dhe nuk ka më asnjë pëllëmbë tjetër. Situata bëhet më alarmante kur kujton se qyteti i Shkodrës ka 130 mijë banorë. Fenomeni i mungesës prej disa kohësh të vendeve të lira në varreza ka ndikuar për keq edhe në planimetrinë e tyre, duke krijuar prishje në sistemimin e tyre. Punonjësit e varrezave shprehen se po të shkosh nga një varrezë në një tjetër, apo nga një parcelë në një tjetër, duhet patjetër të ecësh mbi varre. Madje, atyre iu është dashur që të hapin varre edhe në korridoret mes parcelave, duke mos pasur mundësi të tjera. Por ky veprim nuk duhej të bëhej, pasi në këtë mënyrë është prishur i gjithë sistemi i banesave të fundit dhe nuk do të funksionojë më ndarja në parcela, për të cilat është punuar shumë vite më parë. Tashmë kur vijnë të afërmit e të ndjerëve po hasin vështirësi në gjetjen e tyre, pasi varret e reja janë hapur pa ndojnë sistem – shprehen ata. Përveç korridoreve, tashmë është mbushur me varre edhe e vetmja hapësirë e mundshme, sheshi kryesor në qendër të tyre që shërbente jo vetëm për të paraqitur një strukturë të kujdesshme e harmonike, por edhe si vendqëndrimi të veturave e autobusëve të ceremonive mortore. Megjithëse mungon një studim për mortalitetin në këtë qytet dhe nuk dihet dhe për sa javë do të zihen dhe ato 120 vende që kanë ngelur, punonjësit e vjetër të varrezave statistikisht, ndoshta shumë më të saktë se shteti për shkak të përvojës, thonë duke mbledhur supet “shumë shpejt kena me i kthy njerzit mprapsht se s’ka ma vorre...”

Projekti në letër...

Duke parë sipërfaqen e varrezave të Shkodrës shumë shpejt situata do të bëhet alarmante dhe për shkodranët nuk do të ketë më asnjë vend ku të varrosen. Një alarm të tillë e ka dhënë herë pas here edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Artan Haxhi, i cili tashmë kërkon ndihmë të menjëhershme për zgjidhjen e problemit. Sipas tij, situata ka precipituar drejt emergjencës. Bashkia ka kërkuar disa herë që ky problem të marrë zgjidhje, por asnjëherë nuk i është dhënë një fond i duhur për për të krijuar hapësirat që nevojiten. Duke iu referuar studimit të Bashkisë, duhet që në zonën që ndodhen varrezat të rrethohen edhe tre ha të tjera, për të cilat është përgatitur edhe një projekt. Në bazë të këtij projekti është përcaktuar edhe vlera e fondit që nevojitet për të normalizuar dhe sistemuar varrezat e Shkodrës. Fillimisht problemi i parë qëndron te shpronësimi i tokave rreth varrezave, ku janë afro 3.6 hektarë tokë, që Bashkia ka menduar që t’i kthejë në varreza publike, duke dëmshpërblyer ish-pronarët dhe duke bërë të mundur lirimin e këtyre tokave edhe nga pronarët e rinj, që kanë bërë ndërtime pa leje, apo i kanë zënë tokat për t’i punuar. Projekti në fjalë ka një preventv prej 17.750.000 lekë për shpenzimet totale. Përveç këtyre janë llogaritur edhe 19.220.000 lekë për të bërë përshtatjen e 2 ha të tjera në këtë zonë për varrezat publike. Për problemin e krijuar gjatë kësaj kohe, Bashkia Shkodër bën fajtore strukturat përkatëse të shtetit, pasi kërkesa për fonde është bërë shumë kohë më parë e shoqëruar kjo edhe me projektin përkatës, por megjithëse iu është premtuar se problemi do marrë zgjidhje nga fundi i muajit janar, përsëri nuk është arritur në ndonjë përfundim konkret, duke e futur edhe këtë problem kaq delikat në listën e gjatë të problemeve pa zgjidhje për këtë qytet.

120 vende

për varre në varrezat publike

130 mijë banorë

qyteti i Shkodrës

5.6 ha

duhen për normalizimin e gjendjes

36 milionë lekë

shpenzimet për normalizimin e gjendjes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›