E Hënë, 2 Nëntor 2026

”Ndal” fadromës, me trupin e saj

04/03/2005  Një 65-vjeçare tenton të mbrojë ndërtimin e saj pa leje

ELBASAN - Një 65-vjeçare ka provuar dëshpërimisht të ndalë fadromën, që po i prishte dyqanin, duke iu hedhur para, por ka marrë një goditje të fortë dhe ka përfunduar në spital në gjendje koma dhe në rrezik për jetën.

Yllka Baxho është përpjekur dje që të shpëtojë dyqanin e saj së bashku me mallin e ndodhur brenda, duke tentuar dhe vetësakrifikimin, por ka marrë një goditje nga fadroma e policisë ndërtimore dhe si pasojë ka mbërritur në duart e bluzave të bardha me dëmtime të rënda në kokë.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.00 të ditës së djeshme kur shtetësja Baxho, 65 vjeçe, lidur dhe banuese në lagjen “Luigj Gurakuqi”, po tentonte të shpëtonte mallin e ndodhur në dyqan.

Sipas familjarëve, 65-vjeçarja ka dalë përpara fadromës së policisë, duke tentuar ta ndalojë atë, por është përplasur brutalisht, duke pësuar dëmtime në kokë. Mësohet se e moshura, pasi ka rënë në tokë pa ndjenja, është transportuar menjëherë për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku edhe po trajtohet nga mjekët. Sipas mjekëve, gruaja ka pësuar jo vetëm dëmtime në kokë që i kanë sjellë edhe mungesën e reagimit, por gjithashtu ka kaluar në gjendje shoku nga situata në të cilën është ndodhur.

Shkaku

Gruaja ishte pronare e këtij ndërtimi, i cili ishte pa leje. Shkak për reagimin e gruas ishte njoftimi që mbante datën 2 mars, i cili përshpejtonte aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën ku ishte dhe dyqani i rrobave të shtetases Yllka Baxho. Përshpejtimi i aksionit, i cili ka ardhur papritur për Baxhon, ka shkaktuar edhe reagimin e saj. Pa mundur të heqë veshjet e shtrenjta që ndodheshin në dyqan, ajo është hedhur përpara fadromës, që, çuditërisht, nuk është ndalur.

Para kësaj, e moshuara nuk kishte mundur të nxirrte asgjë nga hapësira ku shiste rroba dhe mësohet se janë dëmtuar më shumë se 4 milionë lekë (të reja) mall.

Më pas...

Sipas familjarëve, reagimi i policisë ishte i papritur dhe i papërgjegjshëm, pasi ndërtimorët nuk kanë zbatuar as afatin 7 ditor të prishjes së objekteve pas marrjes së njoftimit. Familjarët bëjnë fajtore policinë ndërtimore për ngjarjen e ndodhur, pasi 65-vjeçarja, e gjendur përballë këtij aksioni, është tronditur mjaft, duke dalë përpara fadromës.

Ndërkohë, policia ndërtimore nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me plagosjen e Yllka Baxhos, pas mesdite, në lagjen “Luigj Gurakuqi” ku edhe ka vazhduar aksioni i policisë.

Ditët e fundit, në qytetin e Elbasanit ka patur disa prishje të ndërtimeve pa leje, të cilat janë pasuar nga reagime të shumta të qytetarëve. Familjarët e 65-vjeçares Baxho, pritet të denoncojë pranë organeve të rendit veprimin e policisë ndërtimore, ndërsa janë në pritje të daljes nga gjendja kritike të së moshuarës, e cila po lufton me vdekjen.

Djali kërkon drejtësi

“Policia ndërtimore, nuk respektoi afatin”

Yllka Baxho ka luftuar orët e fundit me vdekjen. Ajo është nën kujdesin e bluzave të bardha, të cilat e kanë konstatuar jo pak kritike gjendjen e saj. Në pritje të lajmeve të mira për përmirësimin e shëndetit të nënës së tij, Eduardi, djali i 65- vjeçares, kërkon që kjo ngjarje të zbardhet dhe gjithashtu fajtorët të përballen me drejtësinë. Ai ka bërë të ditur dje se, sapo e ëma të jetë më mirë, nuk do të ngurrojë që të denoncojë dhe të ndjekë deri në fund çështjen.

“Është i pajustifikueshëm veprimi i policisë, shprehet ai, duke kërkuar që, policia e shtetit të hetojë mbi këtë rast dhe të vejë para drejtësisë fajtorët. Njoftimi, ka sqaruar dje Eduard Baxho, ka ardhur vetëm një ditë më parë, në orën 11.00 e ndërsa prishja e ndërtimit ndodh pa kaluar as 24 orë. Jemi mjaft të indinjuar nga kjo që ndodhi. Policia ndërtimore nuk zbatoi as afatin ligjor, duke hedhur poshtë një objekt, që kishte më shumë se 4 milionë lekë (të reja) mall në veshje. Ky rast është një papërgjegjshmëri, dhe ne do ta denoncojmë përpara organeve kompetente. Policia ndërtimore duhet të zbatojë ligjin dhe jo të vrasë njerëz, përfundon ai mjaft i indinjuar nga ajo që ndodhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›