E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përurohet agregati i parë i hidrocentralit të Shkopetit

04/03/2005  BURREL - U përurua dje në hidrocentralin e Shkopetit agregati nr. 1. Rikonstruksioni i këtij agregati është bërë më investimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të dhëna nga ana e Qeverisë austriake dhe asaj kroate. Një pjesë e fondit për këtë riparim është bërë edhe nga ana e KESH-it.

Në ceremoninë e përurimit të agregatit të parë të Shkopetit, Luigj Pjetri, drejtor i Divizionit të Prodhimit në KESH, u shpreh se, “ky është një ndër projektet më të vështirë dhe më të rëndësishëm të KESH në sektorin e prodhimit”.

Rehabilitimi i këtyre hidrocentraleve ishte kthyer në një domosdoshmëri si rezultat i vjetërimit fizik të këtyre pajisjeve dhe kohës së gjatë të shfrytëzimit të tyre. HEC i Shkopetit ka rreth 50 vjet që punon dhe prodhon energji elektrike. Rehabilitimi ka filluar prej një viti e gjysmëm në saj të një pune të kujdesshme të bërë nga stafi në qendër, nga PMU dhe nga personeli i specializuar.

“Ne arritëm të përfundojmë rehabilitimin e Ulzës dhe sot po inaugurojmë përfundimin e agregatit të parë në HEC e Shkopetit”, tha dje Luigj Pjetri.

Ndërsa drejtori HEC të Ulëzës dhe Shkopetit, Sokol Muçeku, u shpreh se, “qëllimi i këtij rehabilitimi ishte realizimi dhe rritja e shkallës së mekanizimit e shfrytëzimit në maksimum të pajisjeve për prodhimin e energjisë, duke rritur rendimentin. Rritja e prodhimit është 2 mega, pra, nga 10 ka arritur në 12 mega dhe shkalla e modernizimit ka arritur deri në atë pikë sa vetë personeli, që ka punuar prej vitesh e po trajnohet në bashkëpunim me dy firmat e huaja, jep besim se do ta shfrytëzojë dhe mirëmbajë këtë pajisje”, përfundoi Muçeku.

Projekti ka lidhje me rehabilitimin e kaskadës së Drinit dhe të Matit. Mësohet se ka përfunduar një agregat edhe në Vaun e Dejës e po vazhdojnë punimet për të dytin. Gjithashtu edhe në Fierzë, ka përfunduar njëri agregat dhe po punohet tek i dyti. I gjithë projekti, në total, e kalon shifrën e 45 milionë dollarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›