Gurët e “Naun Panxhit” zënë posht 48-vjeçaren
04/03/2005 ELBASAN - Një 48 vjeçare ka pësuar dëmtime në kokë, pasi shkëmbinjtë e shkëputur nga pjesa e sipërme e kanalit “Naum Panxhi” në rrugën Elbasan–Cërrik, e kanë kapur teksa po kalonte në këmbë në këtë aks. Sipas burimeve zyrtare të policisë dhe atyre spitalore të qytetit të Elbasanit mësohet se, Ike Gjata, banuese në fshatin Gjergjan, të rrethit të Elbasanit, është dëmtuar në kokë në rrugën e kthimit për në shtëpi, pasi kishte qenë në Elbasan. Bllokimi i një pjesë të rrugës nga rrëshqitja e dherave dhe gurëve, ka bërë që udhëtarët të tentojnë në këmbë për të mbërritur në pjesën tjetër. Por, fati i 48-vjeçares do të ishte më i keq se i kalimtarëve të tjerë. Disa gurë e kanë goditur në kokë, dhe shëmbur përdhe të gjakosur. Gruaja është transportuar nga disa kalimtarë të rastit në spital dhe mësohet se ajo ka pësuar një hematomë në kokë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Rrëshqitja e dherave disa ditë më parë ka bërë që edhe kanali “Naum Panxhi”, përgjatë segmentit Elbasan-Cërrik të bllokohet jo vetmë gjatë natës, por edhe gjatë ditës, duke e bërë të vështirë kalimin e automjeteve dhe kalimtarëve.