Alarmi, 320 të sëmurë mendorë uri në Elbasan
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Alarm urie në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Rreth 320 të shtruar me sëmundje mendore nuk arrijnë të ngopen as me bukë për shkak të kuotës së ulët të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë. Mësohet se kuota ditore për çdo person është vetëm 257 lekë. Kjo i kushtëzon në jo pak raste personat që vuajnë me shëndetin e tyre mendor, që të mos konsumojnë të tria vaktet e ditës. Alarmi për kuotat e ulëta jepet jo vetëm nga familjarët e pacientëve, por edhe nga vetë stafi i spitalit psikiatrik. Sipas tyre, kuota e vendosur nga ana e ministrisë nuk mjafton që të sëmurët të ngopen me ushqim. “Vlera e 257 lekëve për person në ditë duhet të ndahet në tre pjesë për të tria vaktet. Por një gjë e tillë është e pamundur. Përpiqemi që çdo ditë të kursejnë ushqimet dhe produktet e tjera sepse kuota ditore nuk mjafton, që të gjithë të sëmurët të konsumojnë ushqimin”, shprehen punonjës të spitalit. Drejtori i Spitalit Psikiatrik në Elbasan, Erion Hoxha, nuk e paraqiti situatën aq të rëndë, duke theksuar se aktualisht gjendja është nën kontroll për sa i përket ushqimeve. “Ne i kemi dërguar një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të miratuar rritjen e kuotës ditore për të sëmurët. Pritet që në ditët në vijim të merret një vendim në lidhje me kërkesën tonë”, u shpreh drejtori i emëruar rreth tre javë më parë. Por situata paraqitet shumë shqetësuese nga familjarët e pacientëve të këtij spitali. Ata i kanë kërkuar ndërhyrje Avokatit të Popullit Ermir Dobjani. Familjarët i janë drejtuar Dobjanit, duke i kërkuar atij të ndërhyjë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e kësaj kuote ditore, e cila sipas tyre është në vlerë tepër të ulët krahasuar me çmimet e tregut. Ushqimet që magazinohen çdo ditë në spitalin Psikiatrik menaxhohen me kujdes nga ana e stafit të kuzhinës, sepse në të kundërt një numër i konsiderueshëm pacientësh do të mbeteshin pa konsumuar një nga tre vaktet e 24 orëve. Kjo situatë pritet të marrë një rrugëzgjidhje vetëm atëherë kur Ministria të ndërhyjë për rritjen e kuotës. Një kërkesë për këtë rritje nuk është bërë vetëm gjatë këtyre ditëve, por dhe në kohën kur dikasterin e drejtonte Nard Ndoka. Por gjithçka mbeti e shkruar veçse në letër dhe asnjë masë konkrete nuk u mor për këtë shtresë, që ka nevojë për përkujdesje dhe anë financiare maksimale. Drejtori i spitalit pohoi se përsa i përket bazës materiale, kushteve të pavijoneve, etj., ato janë me standarde të larta falë edhe rikonstruksioneve të kohëve të fundit që janë bërë.