E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin ethet, trofeu i Ligës së Kampioneve mbërrin në Romë



Kur kanë mbetur edhe 36 ditë nga finalja e Ligës së Kampioneve, trofeu më i lakmuar nga të gjitha klubet europiane mbërriti në Romë, duke u prezantuar në kryeqytetin italian me një ceremoni luksoze. “Falënderoj presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, i cili mbylli çdo polemikë dhe manifestoi gjithë lumturinë e tifozëve europianë për të luajtur në Romë”, - tha kryebashkiaku i Romës, Xhani Alemano. “Impenjimi ynë është të dëshmojmë vlerat më të mira të këtij qyteti. Do të mobilizojmë të gjitha strukturat, do të jetë një festë e madhe. Jemi përgatitur për të pritur finalen e 27 majit, do të japim më të mirën tonë”.
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, foli edhe për rastin e episodit të racizmit, si ai kundër Balotelit të Interit nga tifozët e Juves: “Ne do të provojmë se në rast se do të ndodhin gjëra të këtij lloji, edhe të ndalojmë ndeshjen, fillimisht duke ndaluar lojën për disa minuta e më pas duke bërë thirrje. Nëse gjërat do të vazhdojnë sërish, atëherë duhet ta mbyllim ndeshjen. Duhet të kemi kurajën për ta bërë”. Në të njëjtën linjë ishte dhe presidenti i Ligës italiane të futbollit, Antonio Materase. UEFA ka ndërmarrë edhe një iniciativë bamirësie, kushtuar familjeve të goditura nga tërmeti i Abruzos. Do të ftohen 50 fëmijë të shoqëruar nga prindërit e tyre për të asistuar në finalen e 27 majit. “Dëshiroj t’i shpreh popullit të Akuilas ngushëllimet e mia. Do t’i çojmë këta fëmijë në Romë për të parë ndeshjen. UEFA dëshiron të bëjë diçka, do të bëjmë më të mirën tonë, - tha Platini.
E sjellë në Romë nga Ole Gunar Solskjaer, në cilësinë e “ambasadorit” të Mançester Junaitid, kampionit në fuqi të Europës, trofeu i Ligës së Kampioneve do të nisë udhëtimin e tij në Itali, të ndarë në katër etapa: më 27 e 28 prill do të ekspozohet në Firence, 2 maj në Milano, 8 e 9 maj në Napoli e më pas nga 14 deri 18 maj në Torino me rastin e Panairit të Librit. Në Romë trofeu do të ekspozohet gjatë javës së fundit përpara se të luhet finalja, ku në garë akoma janë tre ekipe angleze, Mançester Junaitid, Çelsi e Arsenali si dhe Barcelona e Spanjës.

Berluskoni i mbyll derën Adebajorit

“Po si kështu, nuk ju mjafton Ronaldinjo? Donin edhe Adebajorin? Ndërsa unë vetëm paguaj...”. Kryeministri italian, Silivo Berluskoni, njëherësh edhe padroni i Milanit, iu përgjigj kështu një tifozi të skuadrës së tij, që i kërkoi të vishte në kuqezi sulmuesin togolez të Arsenalit. “Doni Adebajorin? Por jemi shumë të fortë edhe kështu...”. Milani nga ana tij bëri të ditur përmes një komunikate zyrtare se kishte ndërprerë kontratën me mesfushorin brazilian Emerson, me efekt të menjëhershëm për shkak të motiveve personale. motivi personali".

MILAN

Milani është në gjurmët e Ramit, 23-vjeçarit që luan për Lilën në kampionatin francez. Marokeni, 190 cm i gjatë, mund të kushtojë nga 5-7 milionë euro.

NAPOLI

Napoli po përgatitet për sezonin e ri. Ndër objektivat kryesorë të ish-skuadrës së Maradonës janë Gaetano d’Agostino i Udinezez dhe Huan Zuniga i Sienës.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›