Greva bllokon 4 orë doganën
GJIROKASTER - Kakavija është bllokuar për të dytën herë brenda javës si pasojë e grevës së paralajmëruar të doganierëve grekë. Ndonëse gjithçka ka qenë e paralajmëruar disa ditë më parë, sërish mjetet e tonazheve të ndryshme me drejtim Greqinë, kanë qëndruar në pritje për të kaluar për orë të tëra, duke krijuar konfuzion të madh në pjesën shqiptare. Ashtu si dhe para disa ditëve, doganierët grekë nuk kanë punuar prej orës 07:00 deri në orën 10:00, ndërkohë që mjaft prej tyre kanë shprehur opinionin për përshkallëzimin e grevës në orare të zgjatura. Në këtë grevë është përfshirë vetëm stafi i doganës greke, ndërkohë që efektivat e policisë kanë vazhduar punën normalisht. Greva ka bllokuar zhdoganimin e çdo lloj mjeti në të dyja anët e kufirit, ndërkohë që lëvizja e këmbësorëve ka vijuar si çdo ditë përjashtuar autobusët e linjave nga të dy anët e kufirit. p.n