E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, po fiton pragmatizmi

Skënder Minxhozi 

Një rrezik i madh po shfaqet në horizontin e maxhorancës në këto ...prag-zgjedhjesh. Përpos shifrave me ngjyrë gri të të gjitha sondazheve, gjatë gjithë muajve të fundit, të cilat e japin në minorancë koalicionin e zotit Berisha, ditët e fundit duket se fushatës së tij i është shtuar edhe një problem tjetër, vetëm pjesërisht i dukshëm dhe i lexueshëm.
Që nga 15 marsi, dita kur opozita zbriti në shesh me dy mitingje të veçuara, PS dhe LSI kanë hyrë ngadalë dhe pa u ndierë në një stinë të paprecedent armëpushimi. Asnjë eksponent i LSI nuk ka ndërmarrë më sulme apo akuza publike (diçka e përditshme dhe në kufijtë e banales dy apo tre muaj më parë), ashtu sikurse asnjë replikë klishe nuk ka mbërritur nga kampi tjetër. Socialistë dhe lësëistë duket se kanë ulur armët dhe kanë lënë llogoret ku ishin futur dhe nga ku gjuheshin me ç'tu zinte dora. Nga ana tjetër, këtij ndryshimi të lexueshëm kursi, i korrespondoi edhe deklarata e papritur e Ilir Metës, gjithashtu e mesit të marsit, rreth një bashkëqeverisje të mundshme me PS pas zgjedhjeve. Jo vetëm kaq. Është lajm i orëve të fundit edhe qëndrimi i tij dhe Petro Koçit, kundër komisionit hetimor për lejet e ndërtimit, që po kërkon të ngrejë me urgjencë maxhoranca. Vetëm pak javë më parë, përgjigja do të kishte qenë me siguri një "Po" e madhe, si nga LSI, ashtu edhe nga PS '91.
Ky afrim i heshtur, por i pandalur, ka bërë që gjuha e urrejtjes dhe aciditeti "brenda familjes", të spostohet gradualisht dhe natyrshëm drejt palës tjetër. Dhe me palë tjetër nënkuptohet Berisha dhe pjesa e tij e spektrit politik. Duket qartë tashmë se si me magji, për një tekë apo trill të fatit, ish-armiqtë janë transformuar në bashkudhëtarë sot e me siguri në aleatë nesër, pas zgjedhjeve.
Një aritmetikë e thjeshtë na thotë në këtë rast se ky është lajmi më i keq që mund të marrë zoti Berisha nga fushëbeteja e zgjedhjeve. Bashkimi i PS me LSI, ose më saktë mos-bashkimi i tyre, ka qenë qysh herët (më saktë që në vitin 2005), shpresa e madhe e Berishës për të qeverisur edhe në kushtet kur shuma e votave të opozitës ishte dhe pritet të jetë më e madhe se ajo e pozitës. Kur Edi Rama dhe Ilir Meta fituan, të bashkuar, Tiranën në shkurt 2007, sinjali për të djathtën ishte shumë i qartë: kjo aleancë mund të jetë potencialisht asgjësuese, nëse mbijeton e tillë.
Aktualisht është pak herët të thuhet se qershori 2009 do t`i ngjajë pikë për pikë shkurtit 2007. Duhet të rrjedhë ende shumë ujë nën ura, që të mund të thuhet se paqja aktuale mes Ramës dhe Metës përmban premisa të qëndrueshme për ta konsideruar si bërthamën e një qeverisjeje të nesërme. Është e kuptueshme se sërish këto dy parti do të shkojnë në zgjedhje për t`i marrë sa më shumë vota njëra-tjetrës. Është gjithashtu e kuptueshme se pas kaq shumë mërish dhe fjalësh të hedhura në ajër kundër njëri-tjetrit, Edi Rama dhe Ilir Meta do të donin të qeverisnin vetëm, më shumë sesa së bashku. Hija e përplasjes në Këshillin Bashkiak të Tiranës është ende shumë e fortë.
Por mesa po shihet, nëse kjo s`do të ndodhë, pra nëse Rama nuk do t`i mbledhë dot votat e mjaftueshme për të qeverisur vetëm, alternativa deri dje e vështirë e qeverisjes së bashku, duket se po merr formë dhe terren. Nëse i kthehemi sërish sondazheve, PS ndodhet aktualisht jo larg pragut magjik që do t`i lejonte të krijonte një qeveri e vetme. Megjithatë fushata mund të marrë kthesa të papritura dhe varianti i një qeverisjeje të ndarë me LSI, megjithëse i padëshirueshëm nga të dyja palët, mund të jetë e vetmja skemë që mund të shmangte krizën politike post-zgjedhore, ku askush nuk do të ishte në gjendje të paraqitej në derën e presidentit Topi me një listë ministrash dhe votash mbështetëse në Kuvend.
E nëse kjo alternativë do të mbesë e vetmja e mundshme, sot më shumë se dje, duket se kjo do të ishte diçka e mundur dhe e realizueshme. Dhe ky do të ishte fundi më i keq i fushatës për zotin Berisha. Sepse atij nuk do t`i mjaftonte që ta influenconte më rezultatin e zgjedhjeve me truke të ngjashme me ato të kartave të identitetit, siç mund të ketë menduar deri tani, me shpresën se do ta dëmtonte PS deri në atë pikë sa ta bënte të domosdoshme aleancën me LSI. Pasi vetë PS dhe LSI duket se po hyjnë, nën efektin e afrimit të pushtetit, në një fazë arsyeje dhe pragmatizmi të natyrshëm në rrethana të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›