Drejtësia, provim para 27 vendeve të BE
Trazhgim Sokolaj
Drejtësia shqiptare dha dje “provimin” e radhës në Tiranë, para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe zv/ministri i Drejtësisë Viktor Gumi, për më shumë se dy orë, iu përgjigjën pyetjeve të përfaqësuesve të vendeve të BE-së lidhur me reformat në drejtësinë shqiptare. Grupi i përfaqësuesve të vendeve të BE-së, që kontaktoi nga afër me zyrtarët më të lartë të drejtësisë shqiptare, drejtohej nga ambasada çeke si vendi kryesues i radhës në Bashkimin Evropian. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa prania e medias ishte e ndaluar në ambientet ku u bë raportimi. Megjithatë, nga burime zyrtare mësohet se interesi i përfaqësuesve të vendeve të BE-së, ka qenë konkret në lidhje me reformat në drejtësinë shqiptare dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, si kushte për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Përgjigjet që përfaqësuesit e vendeve të BE-së morën dje nga zyrtarët e drejtësisë shqiptare, mësohet se do të jenë lënda e parë e progres-raportit të ri që do të publikohet në vjeshtë. Zyrtarët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë pyetur Kreshnik Spahiun, Ina Ramën dhe Viktor Gumin, në terma konkretë lidhur me ligjet e fundit që kaluan në Parlament për gjykatat, avokatinë dhe prokurorinë. Diplomatët e BE-së kanë marrë të dhëna në lidhje me reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, buxhetin e organeve të gjyqësorit dhe respektimin e pavarësisë së Prokurorisë në hetimin e disa çështjeve konkrete, si rasti i tragjedisë së Gërdecit.
Ina Rama: Kemi presione
Ajo çka është thënë në mënyrë të detajuar në takimin e djeshëm të zyrtarëve të drejtësisë shqiptare me përfaqësues të vendeve të BE-së mbetet e paqartë, megjithatë burime të konfirmuara thanë se Kryeprokurorja Ina Rama ka pranuar se Prokuroria e vendit është përballur me presione në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme. Burimet nuk konfirmojnë nëse Ina Rama i është referuar konkretisht çështjes “Gërdeci” në këtë rast, megjithëse mësohet se një nga çështjet për të cilat përfaqësuesit e vendeve të BE-së e pyetën Prokuroren e Përgjithshme, ishte pikërisht hetimi i tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2008. Më tej pyetjet e diplomatëve të Bashkimit Evropian janë detajuar në lidhje me miratimin e ndryshimeve në ligjin për Prokurorinë, heqjen e imunitetit të prokurorëve madje interesimi ka qenë i theksuar edhe për pagat e gjykatësve si një element që lidhet direkt me luftën kundër korrupsionit. Takimi i djeshëm i përfaqësuesve nga 27 vendet anëtare të bashkësisë evropiane kishte karakter faktmbledhës. Të dhënat e raportuara nga zyrtarët shqiptarë do të përdoren për raport-progresin që pritet të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti. Mbi këtë dokument do të vlerësohet edhe ecuria e Shqipërisë me reformat e kërkuara nga BE.
Spahiu: BE e interesuar për drejtësinë
TIRANE – Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu nuk komentoi në detaje dje lidhur me raportimet që janë bërë para ambasadorëve të vendeve të BE-së. “Na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve. Ata jo vetëm që ishin familjarë por ishin shumë të interesuar për çështjet”, tha nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu. Pyetjet kryesore më të cilat ai është përballur, mësohet se kanë pasur të bëjnë me ligjin e ri të administratës gjyqësore, proceset e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, pavarësinë e gjykatave, pagat dhe sigurinë e togave të zeza si dhe çështja e buxhetit të organeve të gjyqësorit. Vetë Spahiu por as pjesëmarrësit e tjerë në takim nuk kanë bërë publike në mënyrë të detajuar përmbajtjen e përgjigjeve, që dhanë para ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ina Rama: Presion për dosjet
TIRANE – Ina Rama mësohet se ka raportuar dje para ambasadorëve të BE-së se Prokuroria e Përgjithshme është gjendur shpeshherë në presion për shkak të çështjeve që ka hetuar. Prokuroria nuk bëri asnjë koment në lidhje me përmbajtjen e raportimit para përfaqësuesve të BE-së, por nga burime të konfirmuara mësohet se Kryeprokurorja Ina Rama ka pohuar në takim se institucioni i Prokurorisë është ndodhur në presione të vazhdueshme nga politika, si pasojë e çështjeve që janë hetuar. Ina Rama nuk ka mohuar nga ana tjetër edhe presionin e publikut, i cili sipas raportimit të Prokurorisë, ka pritur rezultate konkrete për luftën kundër korrupsionit. Ambasadorët e BE-së mësohet se kanë kërkuar të mësojnë konkretisht për hetimet dhe presionet evidente që Prokuroria ka pasur në çështjen e Gërdecit. Një tjetër pikë e raportimit kanë qenë ndryshimet e vitit 2008 në ligjin për Prokurorinë.
Ligjet
Zv/ministrit të Drejtësisë Viktor Gumi i janë drejtuar një sërë pyetjesh dje nga përfaqësuesit e vendeve të BE-së në lidhje me reformën ligjore për prokurorinë, administratën gjyqësore dhe avokatinë, të cilat kaluan në Parlament vitin e kaluar. Mendime rreth këtyre ndryshimeve ligjore u kërkuan edhe nga nënkryetari i KLD-së dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
Pavarësia
Një tjetër çështje e trajtuar në takimin mes zyrtarëve të drejtësisë dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ishte edhe pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë rast BE mori raportime në lidhje me heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe projektin e Ministrisë së Drejtësisë për heqjen e imunitetit edhe për gjyqtarët në të gjithë vendin.
Buxheti
Pavarësia financiare dhe hapësirat e buxhetit bënin pjesë në paketën e pyetjeve që zyrtarët e vendeve të BE-së u drejtuan dje titullarëve të drejtësisë shqiptare. Diplomatët u interesuan në lidhje me pagat e gjyqtarëve, raportin e gjykatave dhe prokurorisë, me buxhetin vjetor të përcaktuar nga qeveria dhe nëse shumat e vëna në dispozicion mundësojnë funksionimin normal të punës.
Ina Rama: S‘hetojmë Durrës-Kukësin, vendimi i gjykatës i formës së prerë
TIRANE – Kryeprokurorja Ina Rama komentoi dje pas interesimit të medias, edhe ecurinë e çështjes “Durrës-Kukës”. Në një përgjigje të shkurtër, pasi doli nga takimi me ambasadorët e vendeve të BE-së, Prokurorja e Përgjithshme tha se vendimi i gjykatës për shpalljen të pavlefshme të dosjes së Prokurorisë, është i formës së prerë. “Ju duhet ta keni dëgjuar që vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë”, tha drejtuesja e organit të akuzës. Reagimi i djeshëm ishte i pari për këtë çështje nga Ina Rama, që pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila më 10 prill 2009 shpalli vendimin duke deklaruar të pavlefshme dosjen penale të Prokurorisë së Përgjithshme, të dërguar në Gjykatë kundër Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, dhe një ish-vartësi të tij. Artikulimi i djeshëm i Kryeprokurores, megjithatë nuk hedh dritë mbi fatin e ardhshëm të dosjes “Durrës-Kukës”. Vendimi i formës së prerë, të cilin e theksoi Ina Rama, nënkupton në fakt se nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër ligjore veç zbatimit të tij. Mirëpo Prokuroria e Përgjithshme prej ditës kur Gjykata e Lartë shpalli vendimin për Lulzim Bashën, ka deklaruar më shumë se njëherë se mund të rihapë dosjen e abuzimeve me ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Një moment kyç në këtë çështje, duket se do të jetë seanca e 29 prillit 2009 në Gjykatën e Lartë, ku pritet të shqyrtohet rekursi i Prokurorisë kundër vendimeve të Gjykatës së Faktit Tiranë dhe Apelit, të cilat që në dhjetor 2008 patën shpallur të pavlefshme hetimet e prokurorisë, të kryera pas datës 6 nëntor 2008. Burimet e organit qendror të akuzës thonë megjithatë se po shqyrtojnë rihapjen e një dosje të dytë për rrugën “Durrës-Kukës” në rast se gjejnë fakte, episode dhe prova të cilat nuk janë trajtuar në dosjen e parë. Megjithatë edhe ky veprim duket se do të jetë në varësi të qëndrimit që do të mbajë Gjykata e Lartë, më 29 prill 2009. tr.so