Shumaker: “Fetel mund të bëhet kampion i botës”
“Ishte thjesht fantastik. Sebastian Fetel mund të bëhet kampion i botës”. Ky është komplimenti i bukur, që legjenda Mikael Shumaker i bën bashkatdhetarit të tij. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, duke folur në mediat gjermane, e sheh pilotin e skuderisë Red Bull, si pasuesin e tij në botën e makinave të shpejta. Fetel i hodhi hapat e para në botën e motorëve pikërisht në Kerpen, në cirkuitin e garave të makinave kart, që është në pronësi të Shumakerit. “Nuk mund të mos i ndjekësh me kënaqësi e argëtim garat e tij. Sipas meje, Red Bull mund të fitojë titullin kampion. Ishin të shpejtë në Australi e në Kinë. Këtë vit kanë një potencial të madh”. Mikael foli ashpër për Ferrarin, madje edhe më një këshillë për ta parë ndryshe sezonin aktual. “Ferrari duhet të marrë në konsideratë idenë për ta lënë të humbasë këtë sezon e të fillojë për të menduar për tjetrin”. Fjalë që kanë lënë të habitur njerëzit e Maranelos. Shumi ka një kontratë si këshilltar me Ferrarin e që skadon në dhjetorin e këtij viti, por raporti me “Kokëkuqen” duket se nuk është aq i ngrohtë, sidomos pas gabimeve në pistën e Sepangut, kur Raikonen pilotoi me gola të njoma, ndërkohë që nuk binte shi, ndërsa shumë i vunë gishtin kundër ish-pilotit gjerman për vendimin e marrë në bokse.
22 Prill 2009