Ranieri: “Kanavaro, je i mirëpritur!”
Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, i hapi dyert Fabio Kanavaros, mbrojtësit italian që luan te radhët e Realit të Madridit e kapitenit aktual të Kombëtares “axurre”. “Na u bënë shumë pyetje në lidhje me moshën e Fabios, - tha tekniku gjatë një konference shtypi, - por nuk mund të lejonim që të na shpëtonte kjo mundësi, ku një lojtar i Kombëtares, i cili mund të formojë një dyshe ‘axurre” me Kielinin, vjen në parametra zero. Për këtë arsye unë dhashë aprovimin tim”.
STRATEGJIA – Tekniku bardhezi sqaroi edhe strategjinë e klubit të tij, duke theksuar se Juventusi kërkon të marrë lojtarë të rinj, por dhe kampionë në parametra zero: “Ekzistonte mundësia, gjithmonë në parametra zero, që të bënim tonin kapitenin e Kombëtares që është kampione bote. Me Bufonin e Kielinin do të formonim mbrojtjen që do të shkojë në Botëror, nga ana tjetër unë e dhashë aprovimin tim dhe do të jetë klubi që do të flasë me Fabion. Nuk e bëmë dy vjet më parë? Do të duheshin shumë para për ta marrë atë nga Reali i Madridit”.
LIPI – Ranieri është në dyshim për vazhdimësinë e tij te Juventusi, ndërkohë që mediat kanë përmendur emrin e Marçelo Lipit. “I mërzitur sepse Juve ka zgjedhur Lipin për të ardhmen? Jo, pasi kjo nuk është e vërtetë. Janë gazetat që e thonë këtë. Problemi im është të bëj mirë e të vazhdoj të ndërtoj skuadrën, pastaj kur të dojë le ta marrë Juve. Unë kam një projekt, nëse nuk do të jenë të kënaqur prej meje pas 2010-ës do të vijë Lipi, Konte apo çdokush tjetër”.
RACIZMI- Tema e racizmit, shkualifikimi i “Olimpikos” me një ndeshje me dyer të mbyllura ishte temë që nuk mund të shmangej. “Shkualifikimi është i padrejtë. Ishte vetëm një moment. Jam afër me djaloshin (Balotelin e Interit), më vjen keq për atë që ndodhi. Por, dua të theksoj se është e drejtë ta apelojmë vendimin”.
Juve shenjestron Shnajderin
Gazeta italiane “La Stampa" shkruante se Juventusi i ka hedhur sytë nga holandezi i Realit të Madridit, Uesli Shnajder, duke i kaluar në plan të dytë si Diego e Verder Bremenit ashtu dhe David Silvën e Valencias. Shnajder është “viktimë” e revolucionit të ardhshëm në shtëpinë madrilen.
Trezege “varet” nga Ranieri
Sulmuesi francez i Juventusit, David Trezege, është i pakënaqur me aktivizimin e tij nga trajneri bardhezi Klaudio Ranieri. Duke parë aktivizimin e tij në ndeshjet e fundit, duket se Trezege nuk hyn më në planet e trajnerit. Nëse Juve rikonfirmon Ranierin, atëherë edhe Trezege do të rishohë të ardhmen e tij.
Platini mbron tifozët juventinë
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, mbrojti tifozerinë e Juventusit pas koreve raciste në drejtim të Mario Balotelit, që solli edhe ndëshkimin e klubit bardhezi me një ndeshje në shtëpi me dyer të mbyllura. “Nuk ka një histori nga Juventusi apo Torino, të paktën në këto 30 vjet që unë jam lidhur me këto klube, që të ketë pasur kore raciste”, - kujton ish-numri 10 i Juves. “Mesa duket ka qenë një episod i shëmtuar, por shpresoj se koret e ardhshme të jenë më ironikë e më simpatikë”.
Kupa e Italisë
Gjysmëfinalet
e kthimit
Sot, 20:45
Juventus-Lacio (1-2)
Nesër, 20:45
Inter-Sampdoria (0-3)
Shënim: Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para
SHKURT
Uest Hemi kërkon Balotelin
Mario Baloteli është gjithnjë në plan të parë. Sulmuesi i Interit do të jetë objektivi i merkatos së skuadrës angleze, që drejtohet nga italiani Xhanfranko Zola. “Çekiçat” e kishin kërkuar edhe më parë xhevahirin e Interit gjatë merkatos dimërore, por përgjigja e klubit italian ishte negative.
Xhenoa zgjedh Flokarin
Xhenoa duket se ka gjetur pasuesin e Diego Militos, ky i fundit është shumë pranë kalimit te Interi. Bëhet fjalë për Serxhio Flokarin e Atalantës. Lojtari do të transferohet për një shifër rreth 12 milionë euro dhe do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare. Flokari ishte një shënjestrën edhe të Juventusit, Romës e Napolit.
22 Prill 2009